“Zarfet e fletëve të votimit janë hedhur rrugëve”, Balla reagon pas akuzave të PD: Klithmat nga këneta duken qartë që s’kanë asnjë lidhje me procesin

04/05/2025 21:12

Drejtuesi politik i PS për diasporën, Taulant Balla ka hedhur poshtë denoncimin publik të PD në lidhje me zarfat e fletëve të votimit të qytetarëve jashtë vendit.

Ai shprehet se “përfaqësues të kënetës sot në Shqipëri por edhe nga Athina, na paskan “zbuluar” një skandal të madh me zarfat e fletëve të votimit ‘se ato janë hedhur rrugëve’”.

Ndërsa rrëzon pretendimet, ai thekson se procesi i shpërndarjes së fletëve të votimit iu besua nga KQZ kompanisë postare më të madhe në botë, pjesë e Deutche Post.

Postimi i plotë i Ballës:

Përfaqësues të kënetës sot në Shqipëri por edhe nga Athina, na paskan “zbuluar” një skandal të madh me zarfat e fletëve të votimit “se ato janë hedhur rrugëve”. Në fakt hartimi i alibisë së humbjes ka ditë që ka filluar me konferenca për shtyp nga këneta, por sot klithmat ishin dhe më të zëshme me deklarata urgjente për shtyp dhe postime në Facebook mbi një fotografi me disa zarfe.

Procesi i shpërndarjes së fletëve të votimit ju besua nga KQZ kompanisë postare më të madhe në botë, pjesë e Deutche Post. Shteti shqiptar ka paguar që zarfi t’i shkojë në shtëpi dhe t’i merret në shtëpi çdo votuesi jashtë Shqipërisë. Dhe kjo nuk ka ndodhur dhe qytetarë të shumtë janë detyruar të shkojnë ta tërheqin zarfin me fletën e votimit në zyrat e postës. Afro 10% nuk e kanë marrë ende për shumë shkaqe. Ky proces ka dhe 5 ditë (deri të premten, të paktën nga Greqia dhe Italia, DHL ka ende kohë të bëjë gjithçka për t’i sjellë në kohë.

Vetëm ama klithmat nga këneta duken qartë që s’kanë asnjë lidhje me procesin, por janë pjesë e skenarit për dosjen e “zezë” të zgjedhjeve të 11 Majit. Kjo dihet!

Motra dhe vëllezër në diasporë ju lutem nxitoni dhe bëni gjithçka ta nisni votën tuaj për Shqipërinë Europiane dhe ta thajmë përfundimisht kënetën me gjithë buf, bretkosa, gjarpërinj e ç’ka brenda.

FALEMINDERIT DIASPORA

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta