Spektakël në ajër! 100 parashutistë vendas dhe të huaj pjesë e “Skydive Albania” në Gjirokastër

04/05/2025 14:10

Gjirokastra është gjallëruar këtë fundjavë nga emocionet e sporteve të ajrit, ndërsa rreth 100 parashutistë vendas dhe të huaj janë bërë pjesë e edicionit të radhës të “Skydive Albania”.

Aktiviteti po zhvillohet në aerodromin turistiko-sportiv të qytetit, duke kthyer vëmendjen te një destinacion që përherë e më shumë po tërheq turistë dhe sportistë aventurierë.

Organizatorja Egestina Levani thekson se: “Është viti i tretë radhazi, janë mbi 75 parashutistë që kanë ardhur nga e gjithë Italia dhe kësaj radhe shumë prej tyre po vijnë për herë të tretë e më shumë. Të tjerë po vijnë për herë të parë , është një grup prej 11 vetësh nga Siçilia. Janë edhe mbi 30 parashutistë shqiptarë, kryesisht nga Tirana, që po provojnë hedhjen dyshe përgjatë gjithë fundjavës. Do të thotë që mbi 100 veta do të vijnë në Gjirokastër nga sot deri të dielën vetëm për këtë lloj sporti.”

Parashutistët italianë nuk fshehin entuziazmin për eksperiencën në Gjirokastër. Një prej tyre, i cili merr pjesë për herë të katërt në këtë event, u shpreh: “Gjirokastra është e mrekullueshme, është gjithmonë një emocion i madh të vish këtu. Ju falënderoj për mikpritjen e veçantë.”

Ndërsa një tjetër shtoi: “Jemi një grup parashutistësh që vijmë nga të gjitha zonat e Italisë. Është një organizim shumë i mirë, shpresojmë të përsëritet sërish.”

Për një pjesëmarrës tjetër me përvojë në sportin e parashutizmit, ky është një destinacion që ofron gjithmonë diçka të veçantë: “Është një organizim në të cilin përfshihem për të disatën herë. Parashutizmi është një sport që e ushtroj prej vitesh. Është bukur sa herë që vij këtu dhe përjetoj hedhje me parashutë nga lartësitë , me të vërtetë diçka e bukur.”

Eventi risjell në vëmendje edhe historinë e aeroportit të Gjirokastrës, një hapësirë me vlera të veçanta historike. Ai nisi funksionin e tij rreth 100 vjet më parë, në vitin 1924, ndërsa në vitet ’30–’40 u shndërrua në një aeroport të vogël me funksion të dyfishtë, si ushtarak ashtu edhe civil.

Sot, ky aerodorm është kthyer në një pikë të rëndësishme për turizmin sportiv dhe ajror në jug të vendit, me ambicie për ta kthyer në një qendër elitare të aventurës.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta