Barcelona “kopjon” Realin, mediat katalanase shpërthejnë në akuza ndaj gjyqtarit të gjysmëfinales me Interin: Madridisti Marciniak

04/05/2025 14:26

Tensioni para gjysmëfinales së kthimit mes Real Madridit dhe Interit në Ligën e Kampionëve ka arritur kulmin në Spanjë, ku mediat katalanase kanë shpërthyer në akuza ndaj gjyqtarit të ndeshjes, polakut Szymon Marciniak.

Sipas gazetave Sport dhe Mundo Deportivo, Marciniak është cilësuar ashpër si “Madridist”, një etiketë që – sipas tyre – vë në dyshim paanësinë e tij në ndeshjen e së martës. Dy mediat më të mëdha sportive në Katalonjë nuk kanë kursyer tonet kritike, duke e konsideruar gjyqtarin polak si të njëanshëm, në favor të Real Madridit dhe rrjedhimisht kundër interesave të Barcelonës.

Shkak për këtë reagim janë bërë disa episode të mëparshme që, sipas tyre, tregojnë një prirje të Marciniak për të favorizuar “Los Blancos”. Midis tyre përmendet një foto e gjyqtarit me një çantë dore që mban stemën e Real Madridit, si dhe disa vendime të kontestuara në ndeshjet ku ka gjykuar këtë ekip – si një penallti e paakorduar për Julian Alvarez në përballjen Atletico–Real, apo një ndërhyrje e dyshimtë në rastin e De Ligt në Real–Bayern sezonin e kaluar.

Për katalanasit, kjo nuk është më thjesht një ankesë, por një “komplot ndërkombëtar” i udhëhequr nga pasionet sportive të kryqëzuara. Me këtë atmosferë të ndezur dhe akuzat që i paraprijnë ndeshjes, duket se tensioni mes Barcelonës dhe Real Madridit vazhdon të ndikojë edhe në sfidat që në teori nuk i përfshijnë direkt.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta