Fitorja e 18 vjeçarit bën xhiron e botës… Antonelli, Lamine Yamal i F1!

03/05/2025 20:26

italiani Andrea Kimi Antonelli merr pozicionin e parë në garën kualifikuese Sprint për Çmimin e Madh të Miamit në Formula 1. 18-vjeçari përfundoi një xhiro mahnitëse me kohën 1 minutë 26 sekonda e 482 të qindtat, duke lënë pas McLaren-at e Oscar Piastrit, i dyti, e të Lando Norrisit, i treti.

Max Verstappen u rendit i katërti, përpara George Russell. Ferrari i parë i Charles Leclerc u rendit i gjashti, i ndjekur nga shoku i tij i skuadrës, Lewis Hamilton. Alex Albon u rendit i teti, përpara Isack Hadjar.

18-vjeçari nga Bologna bëhet piloti më i ri në historinë e Formula 1 që siguron një “pole position” në Kampionatin Botëror të Formula 1, edhe nëse duhet sqaruar menjëherë se ky nuk është një rekord zyrtar, pasi është vendosur në kualifikimet e një gare Sprint dhe jo në ato të Grand Prix me distancë të plotë.

Antonelli është gjithsesi italiani i parë që udhëhoqi pistën e nisjes në një garë të Formula 1 pesëmbëdhjetë vite e gjysmë pas Giancarlo Fisichella-s, i cili mori pozicionin e parë në Çmimin e Madh të Belgjikës në vitin 2009 me Force India të pajisur me një motor… Mercedes.

Marca në Spanjë nuk i ka kursyer lëvdatat, aq sa e ka krahasuar me Lamine Yamal, yllin e Barcelonës. “Antonelli, Lamine Yamal i F1”, shkruan Marca. “Talenti i Antonellit po bën përparim”, thotë AS./TAR

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta