Kanye West padit dentistin e Beverly Hills? E bëri të varur nga…

02/05/2025 16:52

Reperi i njohur amerikan, Kanye West, ka ndërmarrë veprime ligjore ndaj dentistit të tij të mëparshëm, Dr. Thomas Connelly, duke e akuzuar për neglizhencë mjekësore dhe për shkaktimin e një varësie serioze ndaj oksidit të azotit, i njohur ndryshe si “gazi për të qeshur”.

Bashkë me bashkëshorten e tij, Bianca Censori, West ka paraqitur një paralajmërim zyrtar përmes zyrës ligjore “Golden Law”, duke hedhur hapat e parë për një padi të mundshme.

Sipas dokumenteve të siguruara nga “E! News”, Dr. Connelly akuzohet se gjatë trajtimeve estetike dentare të kryera ndaj reperit në periudhën 2024–2025, i ka administruar në mënyrë të përsëritur sasi të mëdha të oksidit të azotit, pa ndonjë arsye të justifikueshme mjekësore.

Më tej, thuhet se ai e ka inkurajuar West-in ta përdorë edhe vetë gazin, jashtë ambienteve klinike dhe pa mbikëqyrje profesionale, duke çuar në një varësi të theksuar dhe pasoja të rënda për shëndetin e tij mendor dhe fizik.

Në dokumentin ligjor theksohet se mjeku ka dërguar bombola të mëdha të gazit edhe në banesën private të çiftit, gjë që sipas avokatëve përbën shkelje të rëndë të protokolleve mjekësore dhe rrezik serioz për pacientin.

Po ashtu, akuzat përfshijnë edhe administrimin e një substance të ngjashme me propofolin – një sedativ i fuqishëm – pa mbikëqyrje dhe vlerësim të gjendjes së reperit pas trajtimit. Në letrën e paralajmërimit thuhet:

Veprimet dhe mosveprimet tuaja kanë qenë të pakujdesshme, shumë të papërgjegjshme, dhe në disa raste, ndoshta edhe të qëllimshme dhe dashakeqe

Avokatët argumentojnë se kjo situatë ka shkaktuar jo vetëm vuajtje për West-in, por ka ndikuar thellësisht edhe në jetën martesore të çiftit, duke privuar Biancën nga mbështetja dhe shoqëria e bashkëshortit të saj.

Dr. Connelly, i njohur si “babai i stomatologjisë me diamant”, nuk ka reaguar ende publikisht ndaj akuzave.

Në faqen e tij zyrtare, ai reklamohet si dentist i elitës, që i ofron shërbimet e tij figurave të njohura dhe njerëzve me ndikim në botë./TAR

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta