
Këtë mëngjes, zjarrfikësit italianë instaluan oxhakun nga i cili do të dalë tymi, pas votave të kardinalëve për zgjedhjen e pasardhësit të Papa Françeskut, në Kapelën Sistine.
Sipas traditës, tymi do të jetë i zi sa herë që nuk zgjidhet një papë i ri, dhe i bardhë kur 133 kardinalët që do të marrin pjesë në konklavë të arrijnë të zgjedhin pasardhësin e Françeskut. Ai do të jetë Ati i 267-të i ri i Shenjtë i Kishës Katolike Romake.
Që nga sot, kanë filluar disa “teste teknike” me kimikatet që i japin tymit ngjyrën e tij të errët dhe të bardhë.
Ndërkohë, besimtarët vazhdojnë të dynden në Bazilikën e Santa Maria Maggiore për të bërë homazhe në varrin e Françeskut. Një pjesë e shtypit italian raportoi për një problem teknik, i cili ka të bëjë me mënyrën se si shkruhet emri i papës së ndjerë, në latinisht, në mermerin e varrit.
Në fakt, ekziston një problem me simetrinë e mbishkrimit. “A” e Franciscus është më larg shkronjës që i paraprin dhe i vjen pas, krahasuar me të gjitha karakteret e tjera.
Tani pritet të përcaktohet nëse duhet bërë ndonjë ndërhyrje korrigjuese, apo nëse do të mbetet ashtu siç është. Sipas gazetës Avvenire, të Peshkopëve Katolikë të Italisë, kjo papërsosmëri e veçantë nuk duhet të ndryshohet, sepse “kjo “a” përkon me shkronjën fillestare të fjalës dashuri në italisht (Amore) dhe mund të jetë një dhuratë tjetër nga Papa Françesku”.
Top Channel