Skandal në Vatikan! I akuzuar për pedofili, kardinali i sanksionuar nga Papa Françesku shfaqet në takimet e konklavës

01/05/2025 10:52

Një prani e papritur dhe tejet e debatueshme ka shkaktuar reagime të forta në Vatikan, pasi ish-kryepeshkopi i Limës, Juan Luis Cipriani Thorne, i akuzuar për pedofili dhe i sanksionuar nga Papa Françesku në vitin 2019, është shfaqur në mënyrë demonstrative në takimet para-konklavit, i veshur me rrobën purpur të një kardinali aktiv – diçka që përbën një sfidë të qartë ndaj kufizimeve të vendosura ndaj tij.

Pak para orës 9 të mëngjesit të djeshëm, një Toyota Yaris kaloi përmes Via Paolo VI duke hyrë në Vatikan, pikërisht në zonën e Sallës së Sinodit, ku po zhvillohen mbledhjet e kongregacioneve të kardinalëve, shkruan La Repubblica.

Në sediljen e pasagjerit ndodhej Cipriani, i veshur si kardinal aktiv, megjithëse rregulloret papnore ia ndalojnë atij të përfaqësojë ndonjë funksion zyrtar në Kishë.

Kjo paraqitje ka krijuar tension, sidomos në Amerikën Latine, ku figura e tij është e diskutueshme për shkak të akuzave të shumta për abuzim seksual me të mitur – akuzat të cilat, ndonëse nuk u çuan në gjykim civil, u konsideruan të besueshme nga Kongregacioni për Doktrinën e Besimit. Në vitin 2019, Papa Françesku i hoqi të drejtën për të përdorur stemën e kardinalit, për të bërë deklarata publike, për të udhëtuar në Peru pa autorizim dhe për të marrë pjesë në një konklav nëse do të ishte në moshën e duhur.

Megjithatë, meqenëse Cipriani tashmë është 81 vjeç, ai nuk ka të drejtë të votojë në konklav, por ende lejimi i pjesëmarrjes së tij në kongregacione – i veshur me të purpurta – shihet si një fyerje për Kishën dhe për udhëheqjen aktuale të saj. Shumë kardinalë kanë shprehur pakënaqësinë në mënyrë joformale, por deri tani nuk ka pasur ndonjë qëndrim zyrtar nga autoritetet e Kishës.

Zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, iu shmang komentit direkt, duke deklaruar: “Ftesa për takimet u është dërguar të gjithë kardinalëve.” Ky qëndrim ngre pyetje mbi zbrazëtitë e rregullores dhe mënyrën si Cipriani mund të ketë shfrytëzuar një përjashtim teknik për veshjen dhe praninë e tij.

Figura e Ciprianit, i pari anëtar i Opus Dei që u bë kardinal (nën Papa Gjon Palin II në vitin 2001), mbart një hije të rëndë nga e kaluara. Edhe pasardhësi i tij në krye të dioqezës së Limës, kardinali Carlos Castillo Mattasoglio, ka shprehur kritika ndaj qëndrimeve të tij dhe përplasjeve me Papën Françesku, por nuk ka ndërmarrë asnjë veprim zyrtar për çështjen e fundit.

Prania e Ciprianit, për më tepër në ceremonitë përpara arkivolit të Papës Françesku, ka hapur debat të gjerë mbi respektimin e kufizimeve papnore dhe mbi integritetin moral të përfaqësuesve të Kishës në një moment kritik për të ardhmen e saj.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta