“Stabilitet i vlefshëm dy palësh”/ Kina: Një urë drejt BE-së pas luftës tregtare të Donald Trump!

30/04/2025 11:50

Kina duket se po i hapet Europës, në një kohë kur po numëron aleatët e saj në luftën tregtare me SHBA-në, pas vendosjes së tarifave nga Donald Trump.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiaqun, tha se marrëdhëniet e Pekinit me Brukselin “do të sjellin stabilitet të vlefshëm”.

Duke mbrojtur bashkërisht, në kontekstin aktual, sistemin tregtar shumëpalësh“, Kina dhe Bashkimi Evropian “do të sjellin stabilitet të vlefshëm dhe parashikueshmëri më të madhe në ekonominë globale dhe tregtinë globale”, tha Jiaqun.

Tarifat e Trump

Pekini dhe Brukseli po përballen me një stuhi vendosjesh tarifash që kanë shkaktuar paqëndrueshmëri në tregjet globale.

Në Kinë, Donald Trump ka vendosur tarifa totale prej 145%. Në të njëjtën kohë, Evropa dëshiron të diversifikojë partnerët e saj tregtarë kundër një aleati amerikan që është bërë i paparashikueshëm.

Më herët këtë muaj, Presidenti kinez Xi Jinping shfrytëzoi rastin për t’i bërë thirrje BE-së dhe Kinës që t’i “rezistojnë” së bashku. Në korrik, me rastin e 50-vjetorit të marrëdhënies së tyre, të dyja palët pritet të mbajnë një samit simbolik.

Pikat e mosmarrëveshjes

Megjithatë, mbeten pika mosmarrëveshjeje midis Brukselit dhe Pekinit. BE-ja ka hapur hetime ndaj produkteve kineze për subvencione të padrejta, duke akuzuar Pekinin për konkurrencë të padrejtë. Hetimet kanë të bëjnë kryesisht me automjetet elektrike kineze.

Brukseli vendosi gjithashtu sanksione ndaj zyrtarëve kinezë për “shkelje serioze të të drejtave të njeriut” kundër pakicave myslimane në Xinjiang.

Pekini u përgjigj duke vendosur sanksione ndaj eurodeputetëve, si dhe ndaj studiuesve evropianë dhe institucioneve evropiane.

Duke cituar një zyrtar të Parlamentit Evropian, Politico dhe Reuters raportuan sot se Kina po shqyrton heqjen e këtyre sanksioneve.

Sipas Reuters, Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Mezzola, pritet të njoftojë sot se Kina ka vendosur të heqë sanksionet kundër katër anëtarëve aktualë dhe një ish-anëtari të Parlamentit Europian, si dhe kundër nënkomitetit të të drejtave të njeriut të këtij organi.

Zëdhënësi i qeverisë kineze deklaroi se marrëdhëniet me Bashkimin Evropian tregojnë një “dinamikë pozitive”.

Anëtarët e Parlamentit Evropian inkurajohen fuqimisht të vizitojnë Kinën më shpesh“, theksoi ai.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta