
Seanca për çështjen e “Sterilizimit” u shty për në 7 maj në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në sallë nuk ishte i pranishëm Ilir Beqaj dhe as avokati i tij, Ermal Yzeiraj, raporton gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat.
Përmes një e-maili, Yzeiraj informonte gjykatën se nuk mund të paraqitej për shkak të një angazhimi akademik.
Sipas tij, bashkëshortja e Beqajt, e kishte vënë në dijeni se gjendja shëndetësore e klientit të tij ishte rënduar dhe se nuk mund të paraqitej në gjyq.
Edhe në seancën e kaluar, avokati i Beqajt, përmes postës elektronike i kërkoi gjykatës shtyrje të procesit, me arsyetimin se ishte në një proces tjetër dhe e kishte të pamundur të merrte pjesë në gjyqin e sterilizimit. Ndaj, gjykata vendosi të ndëshkojë me gjobë prej 30 mijë lekësh për mungesën e tij avokatin e ish-ministrit.
Lidhur me këtë proces gjyqësor ish-ministri Ilir Beqaj ndodhet nën masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”, ndërsa është nën arrest në burg për dosjen SASPAK.
Të pandehurit për çështjen, ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish-zv/ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj akuzohen për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup i strukturuar kriminal”.
Kurse gjashtë të tjerët për akuzat falsifikim dhe shpërdorim detyre.
Top Channel