
Koncerti i parë i turneut “Cowboy Carter” të Beyonce-s, i mbajtur mbrëmjen e së hënës në stadiumin SoFi në Inglewood, Kaliforni, nuk përfundoi ashtu siç pritej.
Ndërsa ylli i muzikës performonte me energji dhe stil, në pjesën VIP të stadiumit shpërtheu një sherr mes disa fansave.
Sipas raportimeve të “Daily Mail”, disa gra u përfshinë në një debat të ashpër verbal që shpejt u kthye në përplasje fizike.
Ndërhyrja e të tjerëve nga publiku për ta qetësuar situatën nuk e ndaloi menjëherë përshkallëzimin e konfliktit, por pas pak çastesh, tensionet u neutralizuan.
Megjithatë, kjo ngjarje nuk e ndali dot magjinë e skenës.
Beyonce u shfaq me një kostum të bardhë kauboji, e shoqëruar nga balerina të veshura me të kuqe, ndërsa gjatë mbrëmjes ndërroi disa veshje ikonike – përfshirë një fustan me motive të flamurit amerikan dhe një tjetër veshje tradicionale kauboji.
Një moment i veçantë ishte kur vajzat e saj, Blue Ivy dhe Rumi, iu bashkuan në skenë, duke emocionuar publikun.
Turneu “Cowboy Carter” po shërben si promovim për albumin e saj më të fundit me të njëjtin titull, për të cilin Beyonce ka fituar së fundmi çmimin ‘Grammy’.
Por, pavarësisht famës së saj botërore, koncerti në Los Angeles nuk ishte i mbushur plotësisht.
Mediat raportojnë se rreth tre mijë vende kishin mbetur bosh pak para nisjes së shfaqjes, çka ngre pikëpyetje mbi interesin për këtë fazë të turit.
Pavarësisht sfidave dhe incidenteve, Beyonce dëshmoi edhe një herë se është një forcë e pamohueshme në industrinë e muzikës dhe një ikonë e vërtetë e performancës live./TAR
Top Channel