
Të dhënat më të fundit, të siguruara nga Inside Story, tregojnë se deri më 24 prill 2025, në Prokurorinë e Posaçme janë regjistruar gjithsej 70 materiale kallëzuese që lidhen me krime të dyshuara zgjedhore.
24 prej tyre kanë ardhur përmes platformës zyrtare të SPAK, “Denonco Krimin Zgjedhor”.
“Unë mendoj që nëse SPAK heton krimin e organizuar në Shqipëri, e ka kryer misionin e vet”, u shpreh Afrim Krasniqi.
“Njerëzit mund të ndërgjegjësohen që shitblerja e votës mund t’i shkaktojë atij një dënim që mund të ketë shumë pasoja, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Të paktën, vetëm ngritja e kësaj task-force, vetëm ideja që është e dënueshme kjo gjë e bën këtë të efektshme”, u shpreh analisti, Agim Baci.
Deri më 28 prill, në prokuroritë e juridiksioneve të përgjithshme janë regjistruar 14 kallëzime penale për krime zgjedhore.
“Pengim i subjekteve zgjedhore,” “dëmtim i materialit,” “përdorim i pushtetit për vota,” “kërcënim ndaj zgjedhësve,” janë akuzat që përshkojnë skedat në Tiranë, Fier, Sarandë, Durrës, Elbasan e Gjirokastër.
Fieri shfaqet si epiqendra e shkeljeve, me pesë procedime të hapura, ndërsa SPAK merr në dorë rastet më të rënda.
Sipas SPAK, gjatë dy javëve të para të fushatës janë regjistruar 26 procedime penale. Statistikat janë dinamike dhe ndryshojnë nga dita në ditë.
“Besueshmëria e SPAK-ut cënohet nëse ne kemi qartësisht materiale, kemi qartësisht fakte, kemi qartësisht denoncime dhe jo thjesht konferenca shtypi. Atëherë po, mund të themi që ka pasur materialet e duhura, kohën e nevojshme dhe i ka munguar vullneti”, u shpreh analisti, Agim Baçi.
Ajo që bie në sy është fakti se 7 prej tyre janë nisur kryesisht nga vetë prokurorët e SPAK, si rezultat i hetimeve proaktive në terren. Kjo tregon se task-force-ja nuk është thjesht reaguese, por edhe iniciuese në hetimin e çdo indicie që mund të tregojë ndërhyrje të paligjshme në vullnetin e votuesit. Të dhënat flasin për dhjetëra kallëzime dhe verifikime të tjera që mund të regjistrohen si procedime penale.
“Ne jemi në një proces konsultimi të vazhdueshëm edhe për elementë fare periferikë të këtij aspekti apo edhe detaje të karakterit teknik dhe i kushtojmë rëndësi parësore. Është çështje principi për ne bashkëpunimi”, tha SPAK.
SPAK ka konfirmuar gjithashtu se aktualisht ka nisur hetimet konkrete ndaj tre personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale që lidhen me procesin zgjedhor. Hetimet vijojnë në fshehtësi dhe nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të task-force-së ndërinstitucionale, e cila ka si qëllim të ndalojë metodat e vjetra të blerjes së votës.
“Një rast, për një person i cili është akuzuar se në vitin 2022 ka votuar 2 herë, është çuar për gjykim në vitin 2025. Tre vjet për çështje zgjedhore janë shumë. Ka nevojë që të gjitha organet të jenë shumë më të shpejta, shumë më proactive në adresimin e krimit zgjedhor e shitblerjes së votës”, u shpreh Dritan Taulla, Zv. Kryetar i KRRIK.
“Manipulimi është shumë më përpara, dhe është në forma nga më të ndryshmet dhe është shumë i vështirë për t’u verifikuar. Ai mund t’i shkojë në shtëpi dikujt, mund ta takojë në një mënyrë tjetër, pra janë shumë pak hapësira”, u shpreh analisti, Agim Baci.
Top Channel