Azilantë nga Anglia në Shqipëri? Kryeministri Keir Starmer vizitë në Tiranë, Ambasadori i MB tregon synimet

30/04/2025 20:15

Mbërritja në Tiranë me 15 Maj e kryeministrit Sir Keir Starmer ishte pjesë e intervistës të  Nicholas Abbott Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë në intervistën ekskluzive për gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu.

Në këtë intervistë, ai foli për synimet e kësaj vizite në Tiranë.

Muhamed Veliu- Kryeministri juaj, z. Keir Starmer, do të marrë pjesë në Samitin e Liderëve Evropianë më 16 maj, dhe parashikohet një takim me Kryeministrin Edi Rama. Cila është rëndësia e kësaj vizite, e para e një Kryeministri britanik në Shqipëri?

 Ambasadori Nicholas Abbott– Kjo është një vizitë shumë e rëndësishme. Tregon edhe njëherë nivelin e partneritetit që kemi tashmë. Kryeministri ynë është dikush që ka treguar interes të vërtetë për Shqipërinë. Ai e di që kemi krijuar një partneritet, një marrëdhënie që po prodhon rezultate. Ai është i interesuar t’i shohë këto nga afër. Dhe gjithashtu ai po vjen në një kohë kur në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, çështjet e mbrojtjes evropiane janë në qendër të vëmendjes.

Muhamed Veliu- Ky samit po mbahet në Shqipëri. Pse është i rëndësishëm dhe çfarë prisni të arrihet prej tij? Ju sapo përmendët rëndësinë e sigurisë, por cilat janë elementët e tjerë?

Ambasadori Nicholas Abbott- Mbretëria e Bashkuar e ka mbështetur Shqipërinë për organizimin e këtij Samiti, që nga momenti kur e organizuam vetë vitin e kaluar. Kjo na duket një gjë normale – që Shqipëria të marrë këtë rol udhëheqës. Aktualisht, siç e dini, në Evropë ka shumë shqetësim për luftën në Ukrainë dhe mënyrën se si ajo mund të zgjidhet. Ka, sigurisht, mundësi për të diskutuar edhe çështje më të gjera. Migracioni, fatkeqësisht, është gjithmonë në rendin e ditës. Por mendoj se Kryeministri ynë vjen këtu me fokus të qartë tek siguria dhe mbrojtja evropiane dhe do të ketë mundësi të bisedojë me liderë të ndryshëm nga Evropa Perëndimore, Ballkani Perëndimor dhe më gjerë, për atë që duam të arrijmë.

Muhamed Veliu– Me të drejtë përmendët se çështja e migracionit është në krye të agjendës së qeverisë suaj. Ne shohim që migracioni i paligjshëm është sërish një temë e nxehtë në vendin tuaj, jo vetëm për qeverinë aktuale por edhe për ato të mëparshme. Është raportuar në mediat britanike që Home Office po kërkon qendra të huaja për të dërguar azilkërkuesit e dështuar. Deri tani, a i është drejtuar qeveria juaj qeverisë shqiptare për këtë çështje?

Ambasadori Nicholas Abbott– Mbretëria e Bashkuar, si shumë vende të tjera evropiane, po shqyrton mënyra për të menaxhuar migracionin e parregullt. Kjo është një sfidë jo vetëm për ne, por edhe për vende të tjera. Siç e thashë, në tre vitet e fundit kemi ndërtuar një marrëdhënie shumë pozitive dhe pragmatike me Shqipërinë. Kështu që padyshim këto çështje janë në vëmendjen tonë dhe janë objekt diskutimi. Por nuk është se vijmë me ndonjë plan të caktuar. Mendoj se, siç po ndodh në kuadër të Samitit, ky është një takim liderësh me interesa të përbashkëta, dhe është një mundësi për të diskutuar edhe këto çështje të migracionit dhe mënyrat e zgjidhjes së tyre.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta