Hysaj gjobitet me 40 mijë euro, pas pesë vitesh procesesh gjyqësore, gjykata i jep të drejtë Napolit

30/04/2025 12:33

Pas pesë vitesh e gjysmë procesesh gjyqësore, Gjykata e Kasacionit në Itali ka vendosur përfundimisht në favor të Napolit lidhur me çështjen e famshme të “kryengritjes” së vitit 2019.

Si rrjedhojë, mbrojtësi shqiptar Elseid Hysaj, aktualisht te Lazio, është dënuar me 40 mijë euro gjobë plus shpenzimet gjyqësore.

Ngjarja daton më 5 nëntor 2019, kur pas një barazimi kundër Salzburgut në Champions League, drejtuesit e klubit napolitan vendosën një grumbullim të detyrueshëm, vendim që u refuzua nga një pjesë e lojtarëve, duke krijuar një përplasje të ashpër në dhomat e zhveshjes. Në atë kohë, trajner i ekipit ishte Carlo Ancelotti.

Napoli vendosi të ndëshkonte lojtarët që refuzuan urdhrin, por shumë prej tyre – përfshirë Insigne-n dhe Mertens – arritën një marrëveshje me presidentin De Laurentiis pas vendimit të Kolegjit Arbitral në nëntor të vitit 2021. I vetmi që vazhdoi betejën ligjore deri në fund ishte Hysaj, i cili e çoi çështjen nga Gjykata e Napolit deri në Kasacion, por tashmë vendimi është i prerë: ai do të duhet të mbulojë gjobën dhe kostot e procesit.

Ky vendim i jep fund një prej episodeve më të trazuara të kohëve të fundit në historinë moderne të Napolit, duke përforcuar të drejtën e klubit për të ndërmarrë masa disiplinore ndaj lojtarëve që nuk respektojnë rregullat e brendshme.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta