
Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi në Fier me kompanitë energjetike në Shqipëri tha se kompania Shell po përpiqet të bëjë pazar në lidhje me naftën e Shpiragut.
Fakti që ata po përpiqen të bëjnë pazar sipas traditës holandeze, tregon se ka një vlerë të madhe, u shpreh Rama.
Sipas kryesocialistit, cilësia është shumë e lartë në Shpirag, por vështirësia e nxjerrjes është shumë sfiduese.
Rama: Patëm një moment optimizmi kur ishim në kushtet e pritshmërisë nga Shpiragu, cilësia është shumë e lartë, por vështirësia e nxjerrjes është shumë sfiduese, ende Shell s’po e dorëzon, po përpiqet në traditën më të mirë holandeze që të bëjë pazar për atë pjesë, kjo flet qartë që ka një vlerë të madhe, por do të duhet t’i referohemi një teknologjie më të sofistikuar, mbase do të jetë fati i atyre që të vijnë më vonë në moshën e shfrytëzimi të pasurive të Shqipërisë mbase do të vijnë më shpejt, këtu kemi aktorë të tjerë në fazë eksplorimi më të avancuar.
Diversifikimi i nisur i prodhimit të energjisë elektrike, tha kryeministri, do të vijojë të jetë një prioritet.
Rama: Kemi të gjitha arsyet që të mendojmë se pavarësia e plotë energjetike është afër, nga vend në hall të madh të jemi transportues neto. Brenda kësaj dekade Shqipëria do të jetë energjetikisht e pavarur, do ta vendosi vetë fatin e vet dhe do të kalojë në eksport neto. S’është vetëm prodhimi, por edhe transmetimi që ka njohur një progres të rëndësishëm.
Top Channel