
Kryeministri i ri i Kanadasë, Mark Carney, bëri deklarata të forta në natën e zgjedhjeve, duke shpallur fundin e epokës së afërsisë strategjike me Shtetet e Bashkuara dhe duke përshkruar marrëdhëniet me fqinjin jugor si një “tragjedi kombëtare”.
“Kanadaja tani e gjen veten në një moment kyç të historisë,” tha Carney, duke folur para mbështetësve të tij në selinë e Partisë Liberale në Ottawa.
Në një deklaratë që sinjalizon një ndryshim të thellë në politikën e jashtme kanadeze, Carney shpalli fundin e asaj që e quajti integrimi historik me SHBA-në:
“Marrëdhënia jonë e vjetër e integrimit me SHBA-në tani ka mbaruar. E kemi kapërcyer tronditjen e tradhtisë amerikane. Duhet të kujdesemi për njëri-tjetrin”, u shpreh ai.
Këto komente vijnë në një klimë të tensionuar mes dy vendeve, pas disa përplasjesh publike dhe politike mes Carney dhe presidentit amerikan Donald Trump, i cili më herët gjatë fushatës zgjedhore kanadeze u akuzua nga Carney për “përpjekje për të shkatërruar Kanadanë për ta sunduar atë.”
“Kjo është një tragjedi, por ne nuk do të qëndrojmë të pambrojtur. Do të mbrohemi me vendosmëri dhe do të rindërtojmë lidhjet tona me botën, në bazë të dinjitetit dhe respektit reciprok, jo dominimit,” tha ai në përfundim të fjalimit.
Deklaratat e Carney-t pritet të ndikojnë ndjeshëm në kursin diplomatik të Kanadasë dhe të formësojnë një politikë të jashtme më të pavarur, ndërsa ai përpiqet të konsolidojë një qeveri minoritare dhe të përballet me sfida të mëdha gjeopolitike.
Top Channel