“Arkiva kërkon zgjidhje urgjente”, Prokurori i Përgjithshëm raporton në KLP: Të mbikëqyret disiplina në punë e oficerëve gjyqësorë, ka ankesa nga qytetarët

29/04/2025 11:34

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela po raporton këtë të martë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

“Në funksion të ruajtjes së nivelit të efektivitetit në veprimtarinë administrative e funksionale të prokurorive, garantimin e paanshmërisë dhe shpërndarjen e ekuilibruar të volumit të punës me urdhrat nr. 18, datë 30.01.2024 dhe nr. 19, datë 30.01.2024, të Prokurorit të Përgjithshëm, janë caktuar strukturat organike të prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

 Në vitin 2024 numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ka qenë 209. Ky tregues evidenton strukturën faktike me 65 % të prokurorëve kundrejt numrit organik prej 321 prokurorësh dhe mungesën e 35 % të numrit të prokurorëve. Në këtë vështrim, gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas niveleve të prokurorive ka qenë: 185  prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ose 98 prokurorë më pak krahasuar me numrin organik (65 % e strukturës organike); 11 prokurorë në prokurorinë pranë Gjykatës të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ose 9 prokuror më pak krahasuar me numrin organik (55 % e strukturës organike) dhe 11 prokurorë dhe 2 ndihmës magjistratë në Prokurorinë e Përgjithshme ose 7 prokurorë më pak se numri organik (61 % e strukturës organike)”, theksoi ai.

“Në kuadrin e mbikëqyrjes së zbatimit të udhëzimeve të përgjithshme dhe kujdesit për ushtrimin e kompetencave kushtetuese dhe ligjore të prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm u ka kërkuar periodikisht informacione drejtuesve të prokurorive me juridiksion të përgjithshëm për masat e marra në zbatim të kompetencave ligjore të tyre, nëse kanë nxjerrë udhëzime të përgjithshme për të lehtësuar zbatimin e udhëzimeve të Prokurorit të Përgjithshëm, për kërkimin e informacionit për ecurinë e procedimeve dhe/ose për nxjerrjen e udhëzimeve jo të detyrueshme për prokurorët lidhur me çështje konkrete, apo nxjerrjen e urdhrave për policinë gjyqësore lidhur me ushtrimin e funksioneve të tyre. Ndërkohë, në mënyrë të vazhdueshme janë zhvilluar analiza bazuar në informacionin statistikor që merret periodikisht nga prokuroritë dhe administrohet nga Prokuroria e Përgjithshme.

Për sa më sipër, vërehet se drejtuesit kanë marrë masa për njohjen me udhëzimet e Prokurorit të Përgjithshëm, organizimin e mbledhjeve me qëllim diskutimin e tyre, nxjerrjen e udhëzimeve dhe urdhrave me qëllim lehtësimin e zbatimit të tyre ose orientimin për zbatimin e drejtpërdrejtë nga prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore.

Ndërkaq nga ana tjetër, në veprimtarinë e drejtuesve konstatohet nxjerrja e një numri relativisht të ulët udhëzimesh jo të detyrueshme për çështje konkrete dhe kërkesash për informacion për ecurinë e çështjeve dhe veprimtarinë e punës së seksioneve.

Po kështu, treguesit lidhur me rolin aktiv të prokurorit sa i përket rritjes së hetimeve kryesisht, hetimeve paralele financiare, hetimeve proaktive me rezultate efektive hetimore, tërheqin vemendjen për nevojën e forcimit dhe shtimit të kapaciteteve, rritjen e bashkëpunimit efektiv me organet e tjera ligjzbatuese dhe angazhimin më të lartë nga ana e prokurorëve. Plotësimi i organikave ne prokurorë të rinj në 2025 besojmë se do kontribuojë pozitivisht në këtë drejtim.

Edhe gjatë vitit 2024, megjithë përpjekjet e bëra prej tyre, konstatohet e njëjta problematikë në koordinimin efikas me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në kuadër të kërkesave për informacion dhe mbështetjes me të dhëna të sakta e të plota.

Një tjetër problem mbetet mbikëqyrja e ngarkesës, performancës dhe disiplinës në punë  e oficerëve të policisë gjyqësore, ku duhet tërhequr vëmendja e drejtuesve dhe prokurorëve për të ushtruar aktivisht dhe në mënyrë të vazhdueshme autoritetin drejtues dhe kontrollues mbi policinë gjyqësore në përputhje me kompetencat e dhëna nga ligji.

Nisur edhe nga ankesat e qytetarëve apo raporte të institucioneve/organizatave monitoruese të të drejtave të njeriut, rezulton se duhet përmirësuar cilësia e komunikimit me qytetarët në drejtim të dhënies së informacionit të kërkuar prej tyre në kuadër të hetimeve penale.

Në një pjesë të prokurorive ka nevojë për një aplikim më efikas të Udhëzimit të Përgjithshëm nr. 15/2020 dhe Memorandumit të Bashkëpunimit me Policinë e Shtetit mbi trajtimin e njoftimit të viktimës akuzuese sipas nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale dhe referimeve të tjera që dukshëm nuk përmbajnë elementë të një vepre penale, që ndikon në uljen e ngarkesës së punës. Janë 5910 materiale që u arkivuan gjatë vitit që kaloi mbështetur në këtë udhëzim, që përbën pothuaj 10 % të totalit të materialeve të trajtuara nga prokurorët në vitin 2024.

Në kuadrin e hartës së re gjyqësore, Prokuroria e Përgjithshme ka vazhduar koordinimin me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Ministrinë e Drejtësisë për zgjidhjen e çështjeve në drejtim të infrastrukturës. Nga ana jonë janë planifikuar disa masa që për realizimin e tyre kërkojnë angazhim ndërinstitucional. Ka përfunduar detyra e projektimit në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Prokurorinë Tiranë, për ndërtimin e një godine të re akomodimi për të gjitha institucionet e sipërcituara.

Së bashku më Këshillin e Lartë Gjyqësor i kemi drejtuar një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë për sigurimin e një sheshi ndërtimi, në mënyrë që të vijohet me hartimin e projektit, por si çështja e terrenit dhe e financimit mbeten ende të pazgjidhura, ndërkohë që nevoja për marrjen e masave konkrete është tejet urgjente. Gjatë vitit 2024 përfundoi me sukses rikonstruksioni i Prokurorisë Dibër, që ofron tashmë hapësira të mjaftueshme për ushtrimin normal të aktivitetit. Gjatë vitit 2025 do të përfundojnë investimet në prokuroritë Fier, Gjirokastër, Vlorë dhe Durrës, ku janë zgjeruar ambientet në këto prokurori në zbatim të marrëveshjes me KLGJ dhe Ministrinë e Drejtësisë. Edhe pas këtyre masave, problem do të vijojnë të mbeten Prokuroria Durrës dhe ajo Sarandë, ku ambientet ekzistuese janë të pamjaftueshme nëse do të plotësoheshin organikat.

Problem urgjent që mbetet për t’u zgjidhur është ai që lidhet me arkivat, ku situata vazhdon të rëndohet, edhe pse nga ana jonë janë marrë masa administrative në këtë drejtim, duke kthyer në hapësira arkivore një pjesë të godinave të prokurorive që pushuan së vijuari aktivitetin për shkak të hartës së re gjyqësore, por edhe përmes seleksionimit të materialeve me vlerë arkivore në përputhje me kuadrin ligjor përkatës, duke punuar ngushtësisht me prokuroritë e rretheve gjyqësore në këtë drejtim. Vlerësoj se ka nevojë për ndërhyrje ligjore në lidhje me përcaktimin e saktë të periudhës së ruajtjes së dosjeve penale, sipas praktikave më të mira evropiane, si dhe për marrjen e masave ndërinstitucionale adeguate për  sigurim të infrastrukturës që do të mundësojë ruajtjen e tyre.

Prokuroria e Përgjithshme e konsideron me rëndësi të veçantë për rritjen e efektivitetit së punës, ngritjen dhe funksionimin e sistemit të menaxhimit të çështjeve.

Sistemi i ri i Menaxhimit të Çështjeve në prokurori, po mbështetet nga Bashkimi Evropian. Për këtë qëllim, Prokurori i Përgjithshëm me urdhrin nr. 04 datë 04.01.2024 ngriti grupin e punës me ekspertë prokurorë nga të gjithë nivelet e prokurorive me juridiksion të përgjithshëm, me qëllim për sigurimin e mbështetjes së nevojshme në krijimin e sistemit të ri të menaxhimit të çështjeve. Në muajin tetor 2024 është nënshkruar marrëveshja midis BE-së dhe UNOPS-it për implementimin e sistemit CAMS dhe komponentëve të tjerë që lidhen me këtë sistem. Gjatë vitit 2024 janë zhvilluar disa takime me përfaqësues të UNOPS dhe grupit të punës. Në takimin e zhvilluar në datë 05.11.2024 u prezantuan fazat dhe afatet e projektit, duke nisur kështu formalizimi i bashkëpunimit dhe punës për ndërtimin dhe implementimin e këtij sistemi të rëndësishëm. Prokuroria e Përgjithshme ka siguruar angazhim të plotë për të adresuar të gjitha nevojat për një sistem efikas dhe mbështetje në plotësimin e kërkesave të tjera të nevojshme për implementimin e projektit.

Sa i përket bashkëpunimit me Qendrën e Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë, edhe gjatë vitit 2024 është vijuar me hartimin e udhërrëfyesit për ngritjen e sistemeve elektronike të sistemit të drejtësisë. Grupi ndërinstitucional i punës ka zhvilluar takime periodike mujore për këtë qëllim dhe pritet finalizimi dhe miratimi i tij brenda vitit 2025.

Gjejmë me vend të përmendim këtu se nga strukturat e Prokurorisë së Përgjithshme u punua në drejtim të zhvillimit teknologjik të sistemit e-PRESTO duke synuar zgjidhjen në mënyrë efektive të problematikave teknike të mëparshme për të garantuar maksimalisht saktësinë dhe plotësinë e statistikave të gjeneruara nga sistemi, si dhe zhvillimin e rubrikave/referencave të tij në përputhje me standardet ndërkombëtare të MONEYVAL.  Sistemi u përfundua në përputhje me kërkesat funksionale dhe mundëson gjenerimin e të dhënave, hedhja e të cilave do të ndiqet me kujdes e prioritet të veçantë për shkak të rëndësisë që ka për procesin e Raundit të VI-të të vlerësimit të Shqipërisë që nis në vitin 2025”, shtoi Çela.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta