Akuza të rënda për trafik seksual ndaj Diddy-t, gjykata pranon prova të reja

29/04/2025 11:05

Sean “Diddy” Combs ka pësuar një humbje të pjesshme në gjykatë, pak javë para nisjes së procesit penal ndaj tij, i cili pritet të fillojë më 5 maj 2025.

Reperi dhe producenti i njohur përballet me akuza të rënda për trafikim seksual, zhvatje dhe transport për qëllime prostitucioni.

Sipas aktakuzës së ngritur në shtator 2024, Combs akuzohet për detyrimin e grave të marrin pjesë në akte seksuale të organizuara, të njohura si “freak-offs”, me punonjës seksi meshkuj.

Në një vendim të datës 25 prill, gjykatësi Arun Subramanian vendosi të pranojë prova të reja në lidhje me trafikimin seksual dhe aktivitetet e përshkruara si “freak-offs”.

Megjithatë, ai hodhi poshtë disa akuza të tjera për punë të detyruar ndaj një punonjësi të Combs, sipas dokumenteve të siguruara nga PEOPLE.

Avokatët e mbrojtjes kundërshtuan futjen e provave të reja, duke argumentuar se ishin dorëzuar tepër vonë – vetëm 15 ditë para fillimit të gjyqit – dhe se përmbanin “një mori akuzash dhe teorish ligjore” që nuk ishin paraqitur më parë.

Në përgjigje, prokurorët deklaruan se mbrojtja ka pasur kohë të mjaftueshme për t’u njohur me materialet, dhe se letra e dorëzuar më 20 prill nuk përbën një ndryshim të aktakuzës fillestare, por një sqarim të saj.

Sipas tyre, kundërshtimi i mbrojtjes është një përpjekje për të kufizuar provat dhe për të shtyrë procesin gjyqësor.

Ndërkohë, Diddy ndodhet aktualisht në paraburgim në Qendrën Metropolitane të Paraburgimit në Brooklyn, ndërsa procesi ndaj tij pritet të jetë ndër më të ndjekurit e vitit.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta