
Në përfundim të takimit elektoral me vajzat dhe gratë në Vlorë, kryeministri Edi Rama dha një mesazh për patriotët e tij.
Duke sjellë në vëmendje gjithë transformimin që ka pësuar Vlora sipas tij, Rama tha se pret që ky qark të thyejë rekord me rezultatin e 11 majit.
“Gjithë Shqipëria ka probleme, por nëse të gjitha qytetet kanë bërë përparimet e tyre, unë po them që në çdo qytet që shkoj, gjëja që më thonë është a do bëhet qyteti ynë si Vlora? Unë e di që Vlora nuk është vetëm Lungomarja, nuk është vetëm bulevardi, nuk është vetëm lagjet e transformuara. Ka akoma zona brenda saj ku duket sikur nuk ka ardhur akoma ndryshimi.
Por di dhe një gjë tjetër, nëse ka burra dhe djem që në ditën e votimit duhet të çojnë të shkojnë të votojnë, janë burrat dhe djemtë e Vlorës dhe patjetër gratë dhe vajzat. Nëse doni më shumë për Vlorën, atëherë unë dua më shumë nga Vlora më 11 maj.
Kam bindjen absolute që nëse Vlora përtej të gjitha të tjerave, mbahet për sensin e historisë dhe nëse të gjithë ju keni dëshirë të flisni për Ismail Qemalit dhe të këndoni këngët e heroizmat tuaja, duhet të provoni që sensin e historisë e keni dhe sot. Në 11 maj PS do të votojë, në disa qarqe do thyejë rekord. Nëse Vlora nuk thyen rekord, ky do jetë turpi i gjithë burrave që nuk do shkojnë në votim”-tha Rama.
Top Channel