Nga shitja e klubit të Chelsea-t te sanksionet e vendosura nga Britania e Madhe, Roman Abramovich gati të thyejë heshtjen pas tre vitesh

25/04/2025 10:18

Ish-pronari i Chelsea FC, Roman Abramovich, do të rrëfejë për herë të parë prapaskenat e shitjes së klubit në një libër që do të publikohet këtë verë, pas një heshtjeje tre-vjeçare.

Titulli i librit është “Sanctioned: The Inside Story of the Sale of Chelsea FC” dhe është shkruar nga gazetari Nick Purewal.

Abramovich, i cili është nën sanksione nga qeveria britanike për shkak të lidhjeve të dyshuara me presidentin rus Vladimir Putin, ka dhënë një intervistë ekskluzive me dy pjesë ku flet për procesin e shitjes së Chelsea-t për 2.5 miliardë paund në vitin 2022, marrëveshje që u finalizua me konsorciumin amerikan të udhëhequr nga Todd Boehly dhe Clearlake Capital.

Intervistat u zhvilluan në Abu Dhabi në janar dhe më herët në Stamboll, dhe përfshijnë jo vetëm detaje nga shitja e klubit, por edhe kujtime nga blerja e Chelsea FC në vitin 2004, sanksionet e vendosura ndaj tij, përpjekjet për paqe gjatë konfliktit në Ukrainë si dhe helmimin e dyshuar të tij në mars 2022.

Para këtij rrëfimi, Abramovich nuk kishte dhënë intervista që nga marsi i vitit 2021, kur foli për revistën Forbes. Më herët, ai ishte shfaqur publikisht vetëm përmes deklaratave të shkruara, përfshirë reagimin për shkarkimin e Frank Lampard dhe fushatën kundër antisemitizmit të drejtuar nga Chelsea.

Libri, i cili do të botohet nga Biteback Publishing, do të zbulojë gjithashtu historitë e panjohura të një prej shitjeve më të bujshme në historinë e futbollit, që u drejtua nga Raine Bank nën mbikëqyrjen e rreptë të qeverisë britanike dhe që përfundoi brenda një periudhe të përshpejtuar prej 95 ditësh.

Ndërkohë, fondet nga shitja – një shumë miliardëshe – mbeten të ngrira në një llogari bankare. Chelsea, nën pronësinë e re amerikane, vijon të synojë kthimin në elitën evropiane përmes një kualifikimi në Champions League dhe fitimit të trofeut të parë në këtë epokë të re.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta