
Kryeministri Edi Rama tha sot nga Elbasani se synon ta çojë në 50 mijë e një numrin e vajzave dhe grave në PS.
“Një burrë pa gruan është gjysmak, një parti pa gratë është cyryk. Unë dua të bëj një nderim për një grua këtu që nuk është kandidate, Luli. kemi 40 mijë vajza në PS, duhet t’i çojmë 50 mijë e një, 1 më shumë se burrat, e tha shumë bukur një zonjë, ‘më tha burri ore më sqaro si është puna që ka thënë Rama burrat janë çyrykë’, them gjysma, asaj i kemi thënë të na provojë gjysmën të ikë nga këneta, ‘e di si është puna që kur rrëzohet çuni nuk thotë o babe, thotë o none’. Të mos rrëzohet kurrë partia duhet me thënë o none, o shoqe, o goc”, tha Rama.
Ai u shpreh se duhet mbështetje e madhe për PS që vendi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
“71 mandate as që diskutohet, por na duhet një fuqi më e madhe, se negociatat zhvillohen në Bruksel, vendimet merren në Tiranë”, tha kryeministri.
Rama: Dua t’ju bëj një falënderim shumë të veçantë që në fillim sepse ishim në Gramsh, u zgjat takimi se ju e dini që unë flas “shkurt”, pasi mbaroi takimi i kisha dhënë fjalën një djali që nuk e njihja, është kthyer ose më saktë ka shkuar në Gramsh, ka hapur një piceri, i kisha dhënë fjalën që kur të kaloj në Gramsh, do vij të të takoj. Nuk e lija dot pa e takuar, shkova e takova dhe atë dhe ndërkohë u vonova dhe kur hyra këtu edhe pashë sallën dhe ju pashë të gjithave ju këtu dhe nuk pashë asnjë vend bosh, e dini çfarë mendova? Thashë “Po të isha vonuar edhe gjysmë ore dhe salla të ishte me burra, gjysma do kishte mbetur këtu” edhe gjysma me dyshime e kam.
Tani çfarë faji kam unë për këtë? Se thonë “Edi Rama e ka me burrat”. Unë nuk kam asnjë gjë me burrat se jam burrë vetë, por duke qenë se jam burrë, besoj që më e mira që mund të bëj është që të pranoj se një burrë pa gruan është gjysmak, një parti pa gratë është çyryk.
Kjo është e vërteta.
Tani, unë dua të bëj një nderim për një grua këtu që nuk është kandidate, nuk është nën dritat e skenës, por është gjithmonë këtu dhe e kam gjetur këtu, kur unë kam ardhur për herë të parë.
Luli, hajde pak këtu.
Mbante hapur derën e Partisë Socialiste kur Partia Socialiste kishte dalë nga një humbje, aty ishin mbledhur disa burra të mërzitur, depresivë dhe Luli rrinte aty, – atëherë nuk e kishim ndaluar ende cigaren brenda, – me cigare.
Thashë unë “Kush është kjo more vëlla”. Gjithë ata burra aty, tek Luli më mbetën sytë mua.
Thashë “Tek kjo duhet të kapem ta filloj rindërtimin e Partisë Socialiste”.
Unë të jam shumë mirënjohës gjithmonë.
Në kohën kur Luli dhe disa gra të tjera që me siguri janë këtu rrotull që besnikërisht dhe me vullnet të madh qëndronin në ditë të vështira, në kohë të vështira që shumëkush nga ju këtu vajzat e reja as nuk i imagjinon,
Partia Socialiste kishte në totalin e vet rreth 12% gra dhe vajza që përgjithësisht nuk i ftonin në organizata, nuk i shihnin si një forcë e madhe përveçse me fjalë dhe unë jam shumë krenar sot që ne vetëm me gratë dhe jo me të gjitha gratë se ju që jeni këtu nuk jeni të gjitha gra, ju jeni pararoja e grave dhe vajzave të qarkut të Elbasanit, ne i tregojmë qartësisht të gjithëve se pse ne jemi të pathyeshëm.
Sot kemi 40% gra dhe vajza në Partinë Socialiste prandaj kemi dhe gjithë ato kandidate që patë ju, nga Aulona deri tek Sara edhe në qoftë se i vutë re fjalimet, sa më e re tjetra, aq më shumë ambicia e madhe, e patë apo jo? Se kështu do shkojë kjo punë por si fillim nuk duhet të ndalemi. I kemi bërë 40% gratë, duhet t’i bëjmë 50%, janë 40 mijë gra afërsisht, 39 mijë anëtare të Partisë Socialiste, nuk duhet të ndalemi pa i bërë 50 mijë e 1, 1 më shumë se burrat se e tha shumë bukur një shoqe, zonjë, tha “Më tha burri, ore shiko na sqaro pak si është kjo puna që thotë Edi Rama që burrat janë çyrykë”.
Jo. Tha, e para punës nuk thonë se unë nuk them “Burrat janë çyrykë, unë them gjysma” jo të gjithë, gjysma edhe asaj gjysmës i kemi dhënë mundësinë të na provojë të kundërtën, të ikë nga këneta është në rregull, nuk është.
-Jo. I tha.
I thashë, – tha, – nuk thotë ashtu.
Po çfarë ka ai?
E di si është puna? Edhe ai si dhe ti, e di shumë që kur rrëzohet çuni nuk thotë “o babe”, por thotë “O none”.
-I thashë unë “Duhet t’i thuash që i thashë Edi Ramës kështu dhe më tha “Unë e di këtë punë prandaj që të mos rrëzohet kurrë Partia Socialiste” nuk duhet me e harru kurrë me thënë O none”, o shoqe, o motër, o gocë.
Shiko si tingëllojnë, sa bukur, po kaq bukur saç duket e gjithë kjo sallë.
Erdhi këneta këtu para disa kohësh, i kishte mbledhur burrat nga të gjitha anët, por kaq plot, – leje për të bukur pastaj, – këtë sallë nuk e kap dot kurrë.
E di që ju keni dhe punë të tjera, nuk keni gjithë kohën të më dëgjoni mua, keni pritur gjysmë ore, do bëj përpjekjen time më të madhe që të mos zgjatem.
Është shumë e madhe përpjekje se mua më rrëmben fjala, por dua t’ju them shumë drejtpërdrejtë; çfarë kemi arritur ne në gjithë këto vite dhe nuk kemi arritur pak pavarësisht se të tjerët përpiqen që të tregojnë të kundërtën, nuk do ishte arritur dot nëse ne nuk do kishim arritur të bënim fuqizimin e grave dhe të vajzave.
Nëse ne nuk do kishim arritur që atë që bëmë për vete, për Partinë Socialiste ta imponojmë përmes parlamentit edhe për të tjerët duke bërë që sot të kemi si askush tjetër në rajon 50% gra dhe vajza në Këshillat Bashkiakë, duke bërë që sot të kemi një qeveri që për të disatin vit rresht është në 5-shen e parë të klasifikimit të Kombeve të Bashkuara për vendin që u ka dhënë grave dhe për barazinë gjinore.
Nuk do kishim arritur që t’i jepnim një shembull domethënës grave dhe vajzave edhe përtej politikës dhe që sot të kishim 30% të sipërmarrjeve që drejtohen nga gratë.
Natyrisht, një pjesë e madhe prej tyre drejtohen nga gratë dhe janë bashkë me burrat në sipërmarrje, por rëndësi ka që e kanë kuptuar burrat që grave nuk duhet t’i lënë vetëm punët e shtëpisë, por me gratë duhet të ndajnë misionin, duhet të ndajnw sfidat dhe mbi të gjitha duhet të ndajnë gjykimet për të marrë vendimet e duhura. Dhe sot unë jam shumë krenar që ne përsëri udhëheqim. Udhëheqim sepse jemi e vetmja parti që kemi bashkëdrejtim të organizatave dhe 90 e kusur % e organizatave kanë një kryetar burrë ose djalë, një kryetare grua ose vajzë.
Kur unë propozova, shokët e mi aty në kryesi kujtuan se po tallesha ose nuk isha fort në terezi atë ditë. Nuk funksionin thoshin. Ja që funksionon dhe funksionon më së miri dhe pikërisht pse kemi kaq shumë gra në drejtim unë kam shumë besim që do të kemi edhe partinë më të mirë historikisht në këto zgjedhje në organizim.
Unë jam shumë krenar që ne udhëheqim me forcën e shembullit. Kemi 71 gra dhe vajza në skuadrën e deputetëve, por më e bukura është që 52% të listës së mbyllur ne e kemi me gra dhe me vajza. Dhe unë besoj që sot Shqipëria është në një moment historik që nuk duhet ta humbasë se në 11 maj do të votojmë për të gjitha gjërat, patjetër. Siç votojmë sa herë që shkojmë në zgjedhjet politike, kur duhet të gjykojmë dhe duhet të vendosim si do vazhdojmë në 4 vite.
Do votojmë patjetër në 11 maj edhe për të gjitha ato që ka nevojë ky qark, që ka nevojë Elbasani, që ka nevojë Përrenjasi, që ka nevojë Peqini, Belshi, Gramshi, Cërriku, Librazhdi për të gjitha pa diskutim, por ama aty kur duhet në mënyrë të posaçme gjykimi dhe këmbëngulja e të gjitha grave, e të gjitha nënave në radhë të parë në çdo shtëpi shqiptare, pavarësisht socialist apo demokrat, është se do të votojnë për një mundësi që fati e desh të na vinte ne në dorë, për të mbyllur negociatat me Bashkimin Europian brenda vitit 2027 dhe për t’i dhënë atë pasaportën europiane të gjithë fëmijëve të Shqipërisë. Sot jo nesër dhe nuk ka asgjë më të rëndësishme. Nuk mund t’i bëjmë fëmijëve tanë asnjë nder më të madh, nuk mund t’i bëjmë asnjë dhuratë më të çmuar, nuk mund ti lëmë asgjë më të shtrenjtë sesa dinjitetin e barabartë me bashkëmoshatarët e tyre në të gjithë Europën, atë që se kanë pasur kurrë shqiptarët, atë për të cilën Skënderbeu, profeti i historisë sonë kombëtarë e përcaktoi, vendi ynë është në Europë jo në Azi. Vendi ynë është në Europën, jo me Azinë. Atë që rilindalist e morën dhe e kthyen në amanet të shkruar për të gjithë ata që duan të lexojnë dhe kuptojnë, “për ne shqiptarët dielli lind andej nga perëndon”.
Atë që të gjithë pastaj, një popull që doli në rrugë, pa udhëheqje, doli në rrugë i shtyrë nga dëshira për liri, edhe formuloi thirrjen “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Atë sot e kemi ne në dorë, sepse dera e Bashkimit Europian është hapur sot për ne, për Shqipërinë, por duhet të jemi shumë të vetëdijshëm, shoqe, motra, mike, duhet të jemi shumë të vetëdijshëm që ajo derë nuk rri hapur. Ajo derë hapet dhe mbyllet, dhe nëse është hapur sot, është hapur, sepse Bashkimi Europian ka nevojë për ne dhe ka nevojë për gjak të ri, ka nevojë për anëtarë të ri, siç kemi ne nevojë për Bashkimin Europian. Dhe mos harroni që kjo nevojë vjen dhe nga një arsye shumë e madhe themelore, siguria. E nëse flitet për siguri, është ajo që thashë në fillim kur siguria jote kërcënohet, kur shëndeti yt kërcënohet, ti thua, “o none”. E pra, të gjitha nënat shqiptare duhet ta kuptojnë që duke e futur Shqipërinë në Bashkimin Europian i bëjmë më të sigurta familjet tona dhe bëjmë më të sigurt Shqipërinë në raport me çdo lloj rreziku, në raport me çdo lloj kërcënimi, se bota nuk është mirë.
Shumë gjëra janë të paqarta, janë të turbullta, prandaj dera është hapur dhe ne do ta shfrytëzojmë këtë moment. Ne jemi gati për Bashkimin Europian, por lajmi i mirë është që sot Bashkimi Europian është gati për ne. Ama duhet të bëjmë negociatat, nuk duhet të ndalojmë një ditë, jo të ndalojmë me muaj tërë. Duhet të vazhdojmë punën me negociatat dhe për këtë na duhet fuqia që populli shqiptar duhet të na japë në 11 maj. Jo aritmetika, jo 71 mandate, se 71 mandate, as nuk diskutohet që në të gjitha rastet populli socialist i ka garantuar për ne, por na duhet një fuqi më e madhe. Pse? Sepse negociatat zhvillohen në Bruksel, vendimet merren në Tiranë. Në Bruksel biem dakord që do të bëjmë këto norma, do të kalojmë këto masa, do marrim këto vendime, do aprovojmë këto ligje, duhet të vijmë në Tiranë dhe t’i bëjmë, pa humbur kohë, pa mbetur në dorën e askujt, por duke pasur fuqinë që t’i bëjmë.
Dua ta mbyll duke ju folur për një pikë që është e rëndësishme. Ju i dëgjoni që thonë, po ç’është kjo punë me Edi Ramën sa e ka fushatë shpik ndonjë gjë, një herë thoshte tepsia, timoni, pastaj kazani, tani thotë pasaporta. Ju kujtohet kur unë thosha, më jepni timonin që t’ju udhëheq pa njeri tjetër në prehër për të bërë një reformë në drejtësi dhe për të pasur më në fund një drejtësi që të shohi drejtë dhe të godasim majtas e djathtas. Ishte fushata e vitit 2017, ishte koha kur ata që sot kanë pafytyrësinë të kërkojnë përsëri besimin e shqiptarëve, që s’kanë për ta marrë kurrë, ishin mbyllur në çadër poshtë zyrës time, kërcënonin shkatërrimin e zgjedhjeve, bojkotin total, se nuk donin të votonin Vetingun, nuk e donin reformën drejtësi, nuk e donin krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë dhe sot e thonë me plot gojën, “në 12 maj do shkrijmë SPAK-un”.
Ndërkohë që nga ajo fushatë dhe nga ato zgjedhje, kur ju më besuat, shqiptarët më besuan dhe na e dhanë timonin, doli ajo që s’kishte ndodhur kurrë në historinë e shtetit shqiptar. Përpjekja e parë në histori për barazinë para ligjit. Kurrë që nga krijimi i shtetit shqiptar, një ministër, një deputet, një njeri i fuqishëm nuk ishte thirrur nga një prokuror apo nga një gjykatës i pavarur për të dhënë llogari. Kurrë, kurrë, kurrë! Në mbretëri, në diktaturën komuniste, në tranzicionin demokratik, e njëjta histori, drejtësia ishte e fortë me të dobëtit dhe e dobët me të fortët.
Sot, kjo po ndryshon, por dëgjojeni me vëmendje, kjo po ndryshon, por nuk është e garantuar. Sot për sot, garantët e këtij ndryshimi, garantët e një drejtësie që do vazhdojë të bëjë punën e vet, pavarësisht se sa mirë ose sa keq mund të na vijë. Pavarësisht se çfarë keqardhje mund të ndjejmë nga ana njerëzore, pavarësisht gabimeve të etj etj, drejtësia duhet të vazhdojë të bëjë punën e vet. Garantët për këtë jemi ne, ju dhe unë, por që nesër të mos dalë dikush tjetër, e pasnesër dikush tjetër, që t’i marri koka erë dhe të tentoj ta kthej prapë rrotën e historisë aty ku ishte, se kështu na ka ndodhë ne shqiptarëve herë pas here prandaj kemi mbetur gjithmonë populli i dorës së dytë në Europë, se më shumë ia kemi bërë vetes se sa na kanë bërë të huajt. Më shumë na ka bërë i yni brenda se sa na ka bërë armiku jashtë. Atëherë ne duhet që të merrnin në dorë fatin pikërisht të drejtësisë, sepse aty ku ka barazi para ligjit, aty ka garanci absolute për lirinë individuale të gjithë fëmijëve tuaj dhe duke e bërë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, ne e bëjmë Shqipërinë një zonjë që ulet në sallonin e asaj shtëpie me 27 anëtarë të tjere dhe në momentin që një vend hyn aty, nuk ka më focë të brendshme që prek barazinë para ligjit. Dhe dua tua u them drejtpërdrejt se gjëja që është më fyesja për inteligjencën time dhe inteligjencën tonë, është kur këta çyrykë dalin dhe thonë si mund të votohet Edi Rama, si mund të votohet Partia Socialiste kur gjysmën e qeverisë e ka në burg.
E para, kjo është tërësisht e pa vërtetë. E dyta, po, disa individë me pushtet në oborrin e shtëpisë sonë, në shtëpinë tonë, në 12 vjet, kanë pasur probleme me drejtësinë dhe kanë probleme me drejtësinë, janë hetuar apo janë në hetim, janë gjykuar apo janë në gjykim, kjo është e vërtetë. Po është kjo një arsye që ne të ulim kokën? Natyrisht që nga ana njerëzore kjo na shkakton keqardhje, por ama nga ana e moralit të politikës, nga ana e detyrimeve karshi popullit, kjo mua më bën ta kem kokën më lart se asnjëherë tjetër, sepse ajo që kam thënë për timonin, për drejtësinë që shikon drejt, që godet majtas dhe djathtas, është pikërisht kjo që po ndodh, me të gjitha problematikat që mund të ketë, por nuk ka ndodhur kurrë në histori tradhtia e atij premtimi do të ishte sikur sot timoni mos të ishte çuar në hapjen e rrugës për drejtësinë e pavarur, por të kishte çuar në një drejtësi që do të godiste vetëm kundërshtarët. Dhe në fund fare, ju të gjithë e dini kush është Altin Dumani apo jo? Që të gjithë e dinë. Një prokuror i ndershëm, kurajoz dhe profesionist që drejton SPAK-un, që bashkë me një grup prokurorësh po vënë në jetë, atë që ne kemi synuar me reformën në drejtësi dhe prandaj gëzojnë dhe mbështetje. Dhe prandaj meritojnë dhe të gjithë solidaritetin tonë ndaj të gjithë atyre sulmeve kafshërore që i bëhen nga këneta, por pyetja është a e dini ju që Altin Dumani nuk erdhi nga hëna pasi u bë reforma në drejtësi, nuk doli nga bankat e shkollës pasi u bë reforma në drejtësi. Është një prokuror që ka 20 vjet a nuk e di, por shumë më tepër vite sesa këto që e njohim. Pse nuk kishim dëgjuar ne për Altin Dumanin? Si ka mundësi që ky prokuror i ndershëm, kurajoz, profesionist nuk kishte thirrur një njeri të vetëm me pushtet, jo ministër se s’bëhej fjalë, por një drejtor, t’i thoshte, hajde këtu ti, çfarë ke bërë ti sepse Altin Dumani dhe prokurorët e ndershëm dhe kurajozë, ishin të çarmatosur sepse drejtësia në Shqipëri ishte e çarmatosur, sepse shpatën për ta ngritur dorën në emër të drejtësisë, nuk e kishte drejtësia, e kishte i pari i drejtësisë dhe jemi e para forcë në historinë e Shqipërisë që dorëzuam shpatën dhe e dorëzuam shpatën duke e lënë të gjithë së bashku veten në dispozicion të drejtësisë.
Sa herë drejtësia ka nevojë të bëjë hetimet apo të japë gjykimet e veta, pra faktikisht dorëzuam shpatën dhe e lamë kokën pa mbulojë, pa mburojë, pa mbrojtje për t’iu dhënë mbrojtje nga ligji të gjithë njerzve të zakonshëm të këtij vendi, për t’i bërë më në fund një herë e mirë shqiptarët të ndihen të barabartë përpara ligjit. Kjo është një gjë historike. Kjo është një gjë për të cilën të gjithë do jemi krenarë dhe historia do ta shënojë, por për ti’i vënë vulën, duhet që Shqipërinë ta fusim në Bashkimin Europian. Unë jam i bindur që ne do ta bëjmë këtë.
Unë jam i bindur që ju do të bëni çmos deri në 11 maj me të gjitha shoqet tuaja, me të gjitha fqinjët tuaja, me krushkat demokrate, me vjehrrat demokrate, me të gjitha. Do bëni tuajën që t’i thoni nuk është këtu rasti për të gjykuar Edi Ramën e Partinë Socialiste. Këtu është rasti për tu bashkuar që të gjithë fëmijët tanë të jenë qytetarë të barabartë të Europës. Dhe përpara se t’ju lë do t’ju them dhe një gje tjetër se nuk e di a e keni dëgjuar kur thonë Edi Rama i bën thirrje vajzave socialiste të ndahen nga djemtë demokratë. Kjo nuk është e vërtetë. Unë them diçka tjetër. Vajzat tona që janë si yje kanë të drejtën e tyre të bien në dashuri. Nuk diskutohet. Djemtë demokratë, alamet çunash siç janë dhe djemtë socialistë. por 11 maj është një rast ideal për vajzat tona që t’i bëjnë testin djemve demokrat. Një test shumë i thjeshtë. Ti që më luan syrin dhe më merr për kafe. Para se të më marrsh për darkë më thuaj pak, je me Shqipërinë në BE apo je me Shqipërinë në kënetë? Shumë e thjeshtë. Nëse burri i huaj, çuni i huaj thotë jam për kënetën goca jonë u thotë rruga e mbarë se çuna të bukur ka plot qyteti por unë dua çun me mend. Le të thonë çfarë të dua ata “Edi Rama kështu, Edi Rama ashtu”. As më intereson fare. S’më ka interesuar kurrë çfarë thonë të tjerët. Më intereson vetëm një gjë, që këtë mundësi, këtë privilegj, këtë nder që është nderi më i madh në jetë që ma keni bërë ju, që ma kanë bërë të gjithë ata që më kanë dhënë besimin, unë ta kthej me të gjitha forcat e mia në një gur për historinë tonë të përbashkët dhe fati u desh që të na vinte tani në dorë mundësia që ne ta shkruajmë historinë në 11 maj. Peqini, Gramshi, Belshi, Cërriku, Përrenjasi, Librazhdi, Elbasani janë të gjithë burra, por ama këtu do vendosi fuqia e nënave, e motrave, e vajzave dhe e të gjithë atyre burrave që e dinë që janë të mençur që pa atë fuqi janë thjesht gjysmak.
Top Channel