
Në seancën e sotme, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pranuar kërkesën e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor me masën “ Vërejtje publike” ndaj gjyqtarit B.SH., zëvendëskryetar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë.
Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha bën me dije se ky hetim disiplinor i përket vitit 2021 dhe ishte pezulluar nga KLGJ në vitin 2022 për shkak të procesit të rivlerësimit, të cilit po i nënshtrohej magjistrati B.SH. Hetimi administrativ ndaj gjyqtarit kishte nisur bazuar në ankesa në vazhdimësi pranë ILD-së nga kancelarja, me pretendimet se magjistrati në pozicionin e zv. kryetarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, e pengonte në ushtrimin e detyrave ligjore, duke mos lejuar funksionimin normal të gjykatës.
Hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë konkludoi se B.SH. ka lejuar moszbatimin, pa shkaqe të justifikuara, të vendimit të dhënë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor lidhur me kancelaren e gjykatës, si dhe në mënyrë të përsëritur, gjatë dy mbledhjeve të Këshillit të Gjykatës, nuk ka respektuar dispozitat ligjore dhe nënligjore, që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e gjykatave.
Ndërmarrja e këtyre veprimeve nga magjistratit vërehet në raportin e ILD-së, përbëjnë mospërmbushje të detyrës së zv.kryetarit, i cili ka përgjegjësi për mbarëvajtjen dhe funksionimin e gjykatës si institucion, dhe ka krijuar konfuzion mbi ushtrimin e kompetencave të kancelares, e cila është përgjegjës për menaxhimin e administrimit gjyqësor. Nga ana tjetër, moszbatimi pa shkaqe të arsyeshme nga ana e tij si drejtues i një vendimi të dhënë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerësohet si një sjellje joprofesionale, e cila diskrediton pozitën e drejtuesit të një gjykate dhe figurën e gjyqtarit në veçanti.
Top Channel