
Mes mijëra simpatizantëve, kryetari i Partisë Social Demokrate, Tom Doshi, së bashku me kandidatët për deputetë në qarkun Shkodër, zhvilluan një takim elektoral në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”.
Doshi u shpreh se program i PSD si pike të forta në këto zgjedhje të 11 majit ka mbështetjen për shtresat ne nevoje…
“Programi jonë është një program social. Është për të varfrit, për të sëmurët. 7 mijë raste të reja keni me kancer në vit. 80 mijë shqiptarë janë të prekur me kancer. Të bësh një analizë me pet-skaner është 1500 euro. E dini sa kushton ajo aparaturë? Një milionë euro. Ne kemi një pet-skaner në Shqipëri dhe ajo është private. Kosova ka 5. Kjo është detyra e shtetit. Shqipëria ka nevojë për 8 të tillë. Ne marrim përsipër që Shqipëria t’i ketë këto 8 aparatura që t’i shërbejë qytetarëve shqiptarë dhe të sëmurëve. Çfarë janë 10 milionë euro për qeverinë?! Përurohen përditë spitale të reja, vidhen miliona. Janë 80 mijë familje që vuajnë, 66 mijë në nevojë në Shkodër. I bëj thirrje këtyre 80 mijë familjeve, votoni Partinë Social-Demokrate. I bëj thirrje dhe Diasporës, mendoni për këta një milionë të varfër në Shqipëri”, tha si fillim kreu i PSD.
Gjatë fjalës së tij kreu i PSD, Doshi për gjendjen e vështirë ku ndodhet Shqipëria fajësoi dy partitë e mëdha teksa hodhi poshtë aludimet për një koalicion me demokratet.
“Në 2013, Sali Berisha ka lënë pushtetin si i korruptuar. Edhe sot të vjen zor kur sheh gjysmën e qeverisë në burg dhe nën hetim. Njerëzit që vjedhin qytetarët nuk na përkasin ne. Kryetari i Bashkisë Shkodër që drejton fushatën e PS-së, është i pandehur. Si mund të drejtojë fushatën një njeri që ka vjedhur qytetarët. Kam shumë besim, jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë që populli do të na votojë. Jemi e vetmja shpresë. Si mund të shkojmë në Europë kur pensionet tona janë 100 euro?! Si mund të shkojmë në Europë kur ne akoma nuk kemi ndarë tokat?! Ju premtoj shqiptarëve, që pa Partinë Social-Demokrate nuk ka mazhorancë në Shqipëri. Janë përhapur fjalë që Tom Doshi bën koalicion me Sali Berishën… Më parë bën Edi Rama koalicion me Berishën se Tom Doshi. Shkodra fillon me fitoren me tre mandate”, tha Tom Doshi.
Social Demokratët synojnë që në zgjedhjet e 11 majit përveçse të sigurojnë grup parlamentar deputetësh të jenë edhe forca politike që do vendosë qeverinë e ardhshme.
Top Channel