
Bankat janë kthyer në financuesin kryesor të konsumit dhe shpenzimeve si për biznesin ashtu edhe për qytetarët.
Për blerje banesash, financim konsumi apo edhe investime e likuiditet, kërkesa për kredi në 3 mujorin e parë u rrit ndjeshëm.
Ndonëse një kërkesë në rritje, raporti tremujor i Bankës së Shqipërisë publikoi një rënie të miratimit të kredive për shkak të mospërmbushjes së kushteve.
“2024 na ka treguar një rritje shumë të forte të kredidhënies e cila të kujton vitin 2008 në Shqipëri ku më pas në 2009 dhe 2010 u shoqërua me masa të tjera shtrënguese ku bankat me të vërtetë dhanë shumë kredi por filluan të kërkonin shlyerjen e tyre të shpejtë duke mos bërë më rinovime të overdrafteve apo duke kërkuar shlyerje pa zgjatur më afatet për rifinancim të borxhit”, tha Artur Ribaj, ekspert bankar.
Janë historiku I kredive, të ardhurat apo edhe pasqyrat financiare të bizneseve që kanë ndikuar në refuzimet. Ndonëse bankat ndjenë rrezikun, ato vijuan të shprehin tolerancë të ulët kundrejt tij, thuhet në raport.
Banka e Shqipërisë parashikon një lehtësim të kredisë për blerjen e banesave dhe shtrëngim të kreditë konsumatore. Ndonëse FMN i ka bërë thirrje Shqipërisë të marrë masa.
“Një sjellje në vëmendje e raporteve të tyre për uljen e ekspozimit në kredinë për pasuritë e paluajtshme duhet marrë seriozisht dhe le të themi se Banka e Shqipërisë ka marrë disa masa për rritjen e shtesës së kapitalit. Urojmë të mos kemi një krizë në pasuritë e paluajtshme se nëse do të nisi atëherë ekspozimi do të jetë jo vetëm i individit por dhe i bankave të cilat kanë marrë kolaterale këto objekte të financuara me kredi. Dhe më pas do kemi situatën e mosmbulimit me kolaterale të kredive të dhëna. Ku bankat përsëri do t’ja kërkojnë atyre që ta mbulojnë apo të heqin dorë nga pronat dhe të ngelen me borxhe të pashlyera”, tha Ribaj.
Në total kredia për ekonominë ka arritur në vlerën e 8.4 miliardë eurove. Në tremujorin e dytë të vitit 2025, bankat presin që kërkesa për kredi të jetë e lartë, si për financimin e konsumit, ashtu edhe për blerjen e banesave.
Top Channel