Macron do të vizitojë Britaninë para Trump, merr ftesë nga Mbreti Charles III

20/04/2025 20:34

Mbreti Charles III ka ftuar presidentin francez Emmanuel Macron për një vizitë zyrtare në maj, katër muaj përpara se vizita e presidentit amerikan Donald Trump të pritet të bëhet në shtator.

Vizita e liderit francez vjen mes përpjekjeve të kryeministrit britanik Keir Starmer për të ringjallur marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, ndërkohë që amerikanët po distancohen nga BE.

Macron dhe Starmer kanë udhëhequr në muajt e fundit një “koalicion të vullnetarëve” të përbërë nga vende evropiane që kërkojnë të bien dakord për garancitë e sigurisë për Ukrainën në rast të një armëpushimi me Rusinë.

Britania dhe BE-ja pritet të nënshkruajnë një pakt të mbrojtjes dhe sigurisë në një samit në Londër më 19 maj, që synon të rrisë shpenzimet ushtarake në të gjithë Evropën.

Trump pritet të vizitojë Britaninë në shtator, pas një ftese të bërë nga Starmer nga Mbreti Charles gjatë vizitës së tij në Uashington në shkurt.

Top Channel