“Nëse vdes, dua të jetë një vdekje që dëgjohet fort”/ Vritet pak ditë para dasmës fotoreporterja në Gaza

19/04/2025 08:59

Si një fotoreportere e re që jetonte në Gaza , Fatima Hassouna e dinte se vdekja ishte gjithmonë në prag.

Teksa kaloi 18 muajt e fundit të luftës duke dokumentuar sulmet ajrore, prishjen e shtëpisë së saj, zhvendosjen dhe vrasjen e 11 anëtarëve të familjes, gjithçka që ajo kërkoi ishte që të mos lejohej qe e gjithë kjo të shkonte në heshtje.

Nëse unë vdes, dua një vdekje të zhurmshme. Unë nuk dua të jem thjesht lajm i fundit, ose një numër në një grup, dua një vdekje që bota do ta dëgjojë, një ndikim që do të mbetet në kohë dhe një imazh të përjetshëm që nuk mund të varroset nga koha apo vendi”, shprehej ajo.

Të mërkurën, vetëm disa ditë para dasmës së saj, 25-vjeçarja Hassouna u vra në një sulm ajror izraelit që goditi shtëpinë e saj në Gazën veriore. Dhjetë anëtarë të familjes së saj, përfshirë motrën shtatzënë, po ashtu u vranë.

Ndërkohë, ushtria izraelite tha se kishte në shënjestër një anëtar të Hamasit të përfshirë në sulmet ndaj ushtarëve dhe civilëve izraelitë.

Njëzet e katër orë para se të vritej, u njoftua se një dokumentar që fokusohet në jetën e Hassouna në Gaza që nga fillimi i ofensivës izraelite do të transmetohej në një festival francez filmi, raporton The Guardian. I realizuar nga regjisorja iraniane Sepideh Farsi, filmi “Vë shpirtin në dorë dhe ec”, tregon historinë e Gazës dhe jetën e përditshme të palestinezëve përmes bisedave video të filmuara nga Hassouna dhe Farsi. “Hassouna u bë sytë e mi në Gaza… Kam filmuar të qeshurat, lotët, shpresat dhe depresionin e saj”, rrëfen Farsi.

Farsi, e cila jeton në mërgim në Francë, tha se kishte frikë se Hassouna ishte shënjestruar për punën e saj shumë të ndjekur si fotoreportere dhe pjesëmarrjen në dokumentar. Gaza ka qenë konflikti më vdekjeprurës për gazetarët në historinë e kohëve të fundit, me më shumë se 170 të vrarë që nga viti 2023, ndërsa disa raporte të pakonfirmuara flasin më shumë viktima mes gazetarëve, plot 206.

Që kur Izraeli filloi bombardimin e Gazës, pas sulmit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, mbi 51.000 njerëz janë vrarë, më shumë se gjysma prej tyre gra dhe fëmijë, sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës. Që prej rënies së armëpushimit me Hamasin në mars, Izraeli ka rifilluar me vrull sulmet e tij vdekjeprurëse ajrore dhe të paktën 30 njerëz u vranë në sulmet e së premtes.

Top Channel