
Gjovalin Prendi është viktima i mbetur sot nga një atentat mafioz në Lezhë.
Ai ishte babai i Roan Brahimit i ekzekutuar një vit më parë në Greqi, në sy të gruas dhe djalit.
Sa i përket ekzekutimit të tij në Greqi, dyshimet ishin se vrasësit ndiqnin në mënyrë periodike partneren dhe fëmijën e tij në Greqi deri sa arritën të ekzekutonin 32-vjeçarin.
Prej tre vitesh, Roan Brahimi ishte larguar nga Shqipëria për t’iu fshehur drejtësisë dhe hakmarrjes së mundshme nga rivalët, ndërsa njihej si armik i Ervis Martinajt.
Atentati ndaj mikut të tij të dikurshëm, Ylli Brakimi në Milot, ku mbeti i vdekur Klisman Peçi, e largoi atë nga Shqipëria duke u strehuar në Emiratet e bashkuara. Por, kundërshtarët e gjetën në një lagje në Athinë, ku kishte shkuar për të festuar Pashkën dhe në një atentat mafioz, dy persona me motor i janë afruar dhe e kanë qëlluar për vdekje. Në momentin e ngjarjes, pranë tij ndodhej partnerja dhe djali i tyre i mitur.
Pistat e hetimit janë fokusuar në hakmarrje, pasi 32-vjeçari që njihej edhe me emrin Sidorel Prendi dhe kishte precedent të rrezikshëm kriminal në Shqipëri. Përplasjet e armatosura datojnë që në 2014, kur në një atentat vriten 2 kushërinjtë e tij, Klodian Ndreca e Taulant Prendi dhe u plagos Aurel Prendi.
Në 2020, në lokalin e babait të tij, persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri, por pa lënduar askënd.
Edhe pse policia nuk e ka dokumentuar, Rohan Brahimi njihej si kundërshtari i Ervis Martinajt, i zhdukur prej 2022, ku informacionet flasin për një sherr fizik mes tyre. Nisur nga këto informacione, Roan Brahimi ka qenë i dyshuar për vrasjen e Brilant Martinajt dhe dy të tjerëve, më 17 korrik 2022, si edhe për ngjarjen e 5 ditëve më vonë, ku u tentua të eliminohej miku i tij i dikurshëm, Ylli Brahimi, por u vra Klisman Preçi.
Atentati ndodhi kur të dy po ktheheshin në shtëpi me makinë të blinduar. Në të shkuarën e errët të Roan Brahimit, policitë e të dy vendeve do të përpiqen të gjejnë dhe dokumentojnë emrin e autorit apo porositësit të vrasjes që tronditi Athinën.
Top Channel