
Elon Musk po zgjeron përfshirjen e tij në ndërtimin e sistemit të mbrojtjes raketore “Golden Dome”, pasi kompania e tij SpaceX, në bashkëpunim me Anduril dhe Palantir, janë shfaqur si konsorciumi dominues për të ndërtuar pjesë kyçe të projektit, raporton Reuters, duke cituar gjashtë persona me njohuri për këtë çështje.
Plani, i paraqitur së fundmi para zyrtarëve të lartë nga administrata e Donald Trump dhe Pentagoni, parashikon lëshimin e 400 deri në 1000 satelitëve që do të patrullojnë Tokën për të zbuluar dhe gjurmuar raketat balistike. Në të njëjtën kohë, plani propozon zhvillimin e një flote të veçantë prej 200 satelitësh që do të mbajnë pajisje raketash ose lazer për të kundërshtuar kërcënimet. SpaceX, megjithatë, nuk do të përfshihet në pjesën që ka të bëjë me pajisjet satelitore.
Plani bazohet në një urdhër ekzekutiv të nënshkruar më 27 janar nga Donald Trump, i cili thotë se një sulm me raketa do të ishte “kërcënimi më i madh shkatërrues për Shtetet e Bashkuara”.
Përfshirja e Elon Musk në konsorciumin “Golden Dome” vjen në një kohë kur ai mbetet këshilltar special i presidentit amerikan për reduktimin e shpenzimeve qeveritare, ndërkohë që gjatë fushatës elektorale kishte dhuruar mbi 250 milionë dollarë.
Në propozimin e saj drejtuar qeverisë amerikane, SpaceX sugjeron ofrimin e teknologjisë së saj si një “shërbim abonimi”. Sipas propozimit, qeveria do të paguajë për aksesin në sistem pa e zotëruar atë. Ky model, i cili nuk është aplikuar kurrë më parë në një program armësh të kësaj shkalle, mund të lejojë që procedurat e prokurimit të Pentagonit të anashkalohen. Në të njëjtën kohë, mund të lejojë përshpejtimin e procedurave.
Megjithatë, ka shqetësime për këtë çështje. Disa zyrtarë të Pentagonit kanë shprehur tashmë rezerva rreth mbështetjes në ndihmën private në një sektor kaq kritik ushtarak. Sipas burimeve, gjenerali i Forcave Hapësinore të SHBA, Michael Gatlin po diskuton mundësinë që SpaceX të zotërojë dhe operojë pjesën e vet të sistemit, me skenarë alternativë duke përfshirë mundësinë e pronësisë së qeverisë dhe mundësinë e kontraktimit të funksionimit të sistemit.
Gjenerali në pension Terrence O’Shaughnessy, një këshilltar i lartë i Musk, thuhet se ka luajtur një rol aktiv në kontaktet e fundit të SpaceX me udhëheqjen e forcave të armatosura dhe shërbimeve të inteligjencës.
Hapet rruga për në Silicon Valley
Nëse konsorciumi arrin të fitojë kontratën, do të jetë sulmi më i madh i Silicon Valley në sektorin e armëve. Kjo do të ishte një goditje për kontraktorët tradicionalë të mbrojtjes, si Northrop Grumman, Boeing, RTX dhe Lockheed Martin, të cilët gjithashtu po marrin pjesë në proces.
Pentagoni ka pranuar tashmë propozime nga mbi 180 kompani, duke përfshirë startups si Epirus, Ursa Major dhe Armada. Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë është informuar nga kompani të përzgjedhura mbi aftësitë e tyre teknologjike.
Steve Feinberg, ish investitor dhe bashkëthemelues i Cerberus Capital Management, pritet të luajë një rol qendror në procesin e vendimmarrjes. Edhe pse nuk ka investuar në SpaceX, ai ka deklaruar se do të tërhiqet nga pozicionet e tij në Cerberus me t’u bashkuar me qeverinë e re.
Çfarë pretendon SpaceX?
SpaceX pretendon në mënyrë specifike pjesën e “shtresës së mbikëqyrjes” të Kupolës së Artë. Kjo do të thotë se do të marrë përsipër pjesën që ka të bëjë me vëzhgimin nga hapësira. Në veçanti, ai dëshiron të dërgojë një numër të madh satelitësh në hapësirë, të cilët do të zbulojnë kur lëshohet një raketë, do të monitorojnë rrugën e saj dhe do të njoftojnë nëse do të godasë Shtetet e Bashkuara.
Sipas publikimit, kostoja për projektimin fillestar dhe përgatitjen e sistemit vlerësohet të arrijë në 6 deri në 10 miliardë dollarë.
Koha e favorshme për SpaceX
Sipas një memorandumi nga Sekretari i Mbrojtjes Peter Hegseth i rishikuar nga Reuters, udhëheqësve të Pentagonit iu kërkua të paraqisnin propozimet fillestare deri më 28 shkurt, me qëllim “përshpejtimin e zhvillimit” të sistemeve satelitore.
Orari konsiderohet i favorshëm për SpaceX, falë flotës së saj të raketave Falcon 9 dhe satelitëve që mund të përshtaten për programin.
Megjithatë, shtrohen pyetje në lidhje me aftësinë e konsorciumit për të ofruar një sistem plotësisht funksional me teknologji të re, në një kontekst financiarisht të zbatueshëm. Siç tha një nga burimet, “mbetet për t’u parë nëse SpaceX dhe këto kompani teknologjike mund ta arrijnë këtë. Asnjëherë nuk u është dashur të dorëzojnë një sistem nga i cili varet mbrojtja e një kombi.”
Top Channel