
Për të kuptuar më shumë në lidhje me situatën në të cilën ndodhet vendi ynë për parandalimin dhe mbrojtjen ndaj zjarreve, së bashku me inxhinierin elektrik, Azmer Duleviç, dolëm në terren.
Në një nga lagjet në qendër të Tiranës, në rrugën e Durrësit për të kuptuar se çfarë ndodh realisht. Situata është alarmante dhe krejtësisht e pasigurt.
‘Normalisht një problem shumë i madh është dhe siguria që e kanë pallatet ekzistuese, sepse fëmijët rrezikojnë jetën e tyre. Këtu është një panel shpërndarës i furnizimit të të gjithë pallatit, siç e shikoni kjo është pa kyç pa gjë dhe nëse e prek, humbet jetën’ u shpreh Azmer Duleviç, inxhinier elektrik
Ndonjëherë gjejnë zgjidhje që nuk janë të duhurat dhe e kanë betonuar. Në rast se ka ndonjë problem, apo ndonjë defekt nuk mund të ketë zgjidhje. Këto janë probleme që qytetarët hasin çdo ditë.
Pra, në rastin e parë kemi të bëjmë me një panel shpërndarës elektrik që nuk ka asnjë siguri dhe që është rrezik i drejtpërdrejtë vdekjeje, ndërsa në rastin e dytë kemi një betonim të tij jashtë çdo standardi në raport me profesionalizmin e vendit.
‘Një gjë është të kesh ligjin, një gjë është ta zbatosh. Një gjë është të kesh një projekt të detajuar, një gjë është ta zbatosh atë’, u shpreh Dëshira Mena, inxhiniere elektrike
‘Gjithë e meta për mua është te zbatimi dhe vënia e kushteve të projektimit dhe kontrolli dhe azhornimi me projektin dhe infrastrukturën ku duhet të ndërtohet, këto janë shkelje nga organet’ u shpreh Llazar Shandro, inxhinier elektrik
Dy problemet që shpjegoi Duleviç nuk janë të vetmet që vihen re, pasi mjafton të shohësh lagjen me sy të lirë, pa qenë ekspert i fushës dhe kupton se ka shumë gjëra që nuk shkojnë.
‘Kemi përcjellëset, kabujt, që janë në kokat e qytetarëve. Kabuj interneti, por dhe kabuj elektrik që bëjnë një miksim dhe ka pasur dhe qytetarë, apo punonjës që kanë humbur jetën pikërisht nga këto problematika që janë të shumta fatkeqësisht’ u shpreh Azmer Duleviç, inxhinier elektrik
‘Në rastin e një zjarri të mundshëm këtu nuk ka shkallë emergjence. Duhet të ishin shkallë metalike që në rastin e një zjarri qytetarët të kishin mundësinë të zbrisnin dhe të shmangnin fatkeqësinë. Në këto pallate ekzistuese nuk bëhet fjalë të kemi detektor të zjarrit për të shmangur fatkeqësitë. Në masë mungojnë dhe në pallatet e reja, por dhe kur vendosen aty dhe në institucionet, fatkeqësisht këto janë fiktive dhe nuk punojnë’ u shpreh Azmer Duleviç, inxhinier elektrik.
Top Channel