
Rreziqet rriten me rritjen e temperaturave, ndërsa emetimet e gazrave të dëmshëm vazhdojnë të rriten. Një raport i ri tregon mënyrat për tejkalimin e gjendjes.
Kriza ekologjike dhe ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu janë bërë prej kohësh një problem shumë serioz i njerëzimit. Kjo nuk është asgjë e re. Megjithatë, njerëzit djegin më shumë qymyr, naftë dhe gaz se kurrë më parë, prodhojnë më shumë mbeturina dhe konsumojnë më shumë burime sesa mund të mbajë planeti.
“Në mënyrë figurative, ne po shikojmë në humnerë. Ne dimë si të kthehemi prapa. Megjithatë ne po vazhdojmë të shkojmë drejt saj,” tha Shen Xiaoming, drejtor i Institutit Universitar të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin dhe Sigurinë Njerëzore (UNU-EHS).
Pse është kështu dhe cilat janë rrugët e mundshme për të dalë nga humnera? Një raport i publikuar sot nga instituti i saj, i titulluar “Kthimi mbi një gjethe të re”, përpiqet t’i përgjigjet kësaj pyetjeje. Ky raport vjetor analizon se si rreziqet dhe fatkeqësitë natyrorejanë të ndërlidhura dhe ndikohen nga njerëzit dhe cilat janë strategjitë e mundshme për adresimin e këtyre problemeve.
Shumë kriza, pak ndryshime thelbësore
Lajmi i mirë: Sipas studiuesve, një e ardhme më e mirë është e mundur. Megjithatë, shumë nga qasjet e sotme synojnë kryesisht luftimin e simptomave, në vend të shkaqeve themelore, sipas shkencëtarëve në UNU-EHS, me qendër në Bon.
Për shembull, plazhet ose lumenjtë e ndotur mund të pastrohen vetëm me sisteme më të mira riciklimi. Megjithëse riciklimi është një mënyrë e vlefshme për të zgjidhur problemin, problemet kryesore qëndrojnë diku tjetër – në sistemin e ambalazhimit dhe prodhimit masiv për një përdorim. Nëse qëllimi është një e ardhme pa mbeturina, atëherë është e nevojshme të ndryshohet sistemi i një shoqërie që i hedh gjërat pas një përdorimi të vetëm, thuhet në raport. Pikërisht këtu duan të ndërhyjnë autorët e raportit.
Teoria e ndryshimit radikal
Për të zbuluar shkaqet më të thella të problemeve globale, studiuesit kanë zhvilluar të ashtuquajturën “Teoria e ndryshimit të thellë”. Ai shqyrton strukturat shoqërore dhe modelet e të menduarit që kanë çuar në probleme të caktuara që vazhdojnë edhe sot. Autorët e shohin shoqërinë si një konstrukt shoqëror.
Disa mënyra të të menduarit kanë çuar nëkrijimin e strukturave që kanë shkaktuar pasoja të paparashikuara, si ndryshimet klimatike, mungesa e ujit, mbiprodhimi dhe mbishfrytëzimi i burimeve globale.
“Hulumtimi ynë ka treguar se këto procese dhe struktura bazohen kryesisht në supozimin se njerëzit mund dhe duhet të sundojnë mbi natyrën”, thotë Caitlin Eberle në një intervistë për DW që ka punuar në këtë raport.
Ky supozim bazë shfaqet, në forma të ndryshme, në ligje, letërsi, filma dhe kontekste fetare, thonë autorët. Dhe kjo nga ana tjetër ndikon në qëllimet dhe strukturat e shoqërisë.
Rezultati: monokulturat, rregullimi i rrjedhës së lumenjve, zbutja e kafshëve dhe ruajtja e bimëve, si dhe përdorimi i pesticideve dhe herbicideve – të gjitha konsiderohen mjete legjitime për të arritur qëllimet sociale.
Supozimi ose modeli i mendimit “njeriu sundon natyrën” mbart kështu rreziqe dhe përfaqëson një pengesë për ndryshime të mundshme, pohojnë autorët.
“Ndryshimi i kësaj mendësie do të thotë të pranojmë se njerëzit janë pjesë e natyrës, vetëm një specie në një ekosistem të gjerë. Dhe kjo do të thotë që ne duhet të përpiqemi t’i përshtatim më mirë sistemet tona me nevojat e natyrës”, thotë Eberle.
Gjithashtu, supozimet e përhapura se rritja e pafundme ekonomike sjell me të vërtetë prosperitet, ose se planeti ka kapacitet të pakufizuar për të thithur ndotjen dhe për të siguruar burime, paraqesin pengesa për ndryshim. Kjo mënyrë e të menduarit, nga pikëpamja shkencore, është thjesht e gabuar, thotë Eberle.
Transformimi i domosdoshëm
Për një ndryshim vërtet të qëndrueshëm dhe të thellë, nevojiten ndryshime të brendshme dhe të jashtme. Nga njëra anë, kjo nënkupton besimet dhe vlerat personale të njerëzve – domethënë levat e brendshme. Dhe leva të jashtme mund të jenë ligjet e përshtatshme, rregullimet e sistemeve tatimore dhe subvencionet që mbështesin ndryshimet.
Edhe pse ndryshimi i vlerave dhe besimeve të ngulitura thellë është i vështirë, nuk është i pamundur. Historia e tregon këtë, thonë studiuesit. Për shembull, pirja e duhanit ishte e pranuar nga shoqëria deri disa dekada më parë dhe në shumë kultura shoqërohej me status më të lartë shoqëror dhe madje konsiderohej i shëndetshëm. Sot, të gjithë e dinë se pirja e duhanit është e dëmshme dhe është e ndaluar pothuajse në të gjitha ambientet e brendshme.
Ky ndryshimndodhi si në nivel individual ashtu edhe në atë shoqëror. Në mesin e shekullit të 20-të, shkencëtarët filluan të zbulojnë rreziqe serioze për shëndetin dhe përmes fushatave publike, ndalimeve dhe ndryshimeve në rregulla, qëndrimi i shoqërisë ndaj pirjes së duhanit ndryshoi.
Ndryshimi tashmë ka filluar
Për të kapërcyer rreziqet e sotme mjedisore, studiuesit besojnë se nevojitet një ndryshim në ndërgjegjësimin në pesë fusha: të trajtohen mbetjet si lëndë e parë, të heqësh dorë nga ideja se njeriu është i ndarë nga natyra, të kuptojmë se njerëzimi ndan një përgjegjësi të përbashkët, të zëvendësojë planifikimin afatshkurtër me atë afatgjatë dhe të rishqyrtojë atë që është me të vërtetë e vlefshme – pasuria ekonomike apo shëndeti i planetit.
Sipas Caitlin Eberle, nuk janë sfidat teknike apo logjistike ato që i pengojnë njerëzit nga arritja e këtyre qëllimeve, por mendësia: “Ajo që nevojitet janë ndryshime vërtet rrënjësore në mendësitë që formojnë kulturën dhe filozofinë tonë. Ne gjithashtu duhet të besojmë se ndryshime të tilla janë të mundshme dhe se ne mund t’i arrijmë ato.”
Ky proces ndryshimi nuk mund të ndodhë pa rezistencë, pranojnë studiuesit. Konfliktet e interesit, frika dhe inercia strukturore janë normale. Por ka shpresë, thotë studimi. Janë pikërisht këto konflikte që tregojnë se shoqëria tashmë ka filluar të ndryshojë./DW
Top Channel