
Në Policinë e Fierit janë shoqëruar pesë persona mbrëmjen e së martës, mes të cilëve edhe dëshmitarë.
Mësohet se oficerë të BKH-së dhe punonjës të forcave operacionale kanë qenë me shërbim dhe kanë ngritur një dron në hyrje të Fierit që ka shkuar pranë bizneseve të ndërtuesit Shkëlqim Kapllanaj, i afërm i Agron Kapllanaj, ish-kryebashkiak i Ballshit dhe ish-eksponent i Partisë Demokratike.
Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha raporton se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21.00 në lagjen 1 maji kur situata është tensionuar dhe më pas punonjësit e biznesit të ndërtimit mësohet se janë përplasur fizikisht me zyrtarët e BKH-së dhe forcat operacionale.
Nga informacionet paraprake mësohet se dëshmitarët gjatë marrjes në pyetje në polici kanë thënë se sherri ka nisur për parkim të gabuar të disa automjeteve pranë bizneseve të ndërtuesit Shkëlqim Kapllanaj, ndërsa dikush tjetër ka përmendur edhe ngritjen e një droni. Punonjësit e operacionales kryen kallëzim duke pretenduar sulm për shkak të detyrës.
Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha bën me dije se katër të arrestuarit gjendeshin në ambientet e firmës së Shkëlqim Kapllanajt she janë konfrontuar me Operacionalen dhe BKH.
Oficerët që kanë bërë denoncimi thonë që u janë prezantuar qe janë oficerë policie, ndërsa pala tjetër thonë se nuk e dinim që ishin oficerë.
Policia ka ndaluar Gerald Kollçaku, Orian Isufaj, Klaudjo Kapllanaj, Ledjan Kapllanaj.
Njoftimi i policisë:
Fier/Informacion paraprak
Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, së bashku me hetuesit e BKH-së pasditen e sotme kanë qenë me shërbim në qarkun e Fierit.
Rreth orës 19:20, të mbrëmjes së sotme, në aksin rrugor Fier – Patos, shërbimet operacionale të Policisë dhe hetuesit e BKH-së janë goditur për shkak të detyrës nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprimeve të mëtejshme.
Të gjitha veprimet hetimore e procedurale janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
Top Channel