
Kreu i qeverisë Edi Rama ishte sot në një takim e të rinjtë e Kamzës, i shoqëruar nga kryetari i kësaj bashkie Rakip Suli, Elisa Spiropali dhe Lindita Nikolla.
Ai u shpreh se dy vite më parë kërkoi që banorët t’i besonin PS votën, dhe në këto dy vite janë bërë ndryshime të mëdha dhe që ende vijonte sipas tij për të arritur një transformim real.
“Dy vite më parë kërkova të na jepnin mundësinë dhe të na besonin para dy vitesh, dhe u thash që do bënim shumë më tepër akoma, dhe sot faktikisht gjithçka ngado të shohësh dhe në çdo drejtim të kërkosh gjen se është ku e ku me çfarë ishte dhe kupton sesa shumë vite u humbën qorrazi, sa shumë vite u humbën nga besnikëria e verbër ndaj një partia a thua se vota është një biletë për të shkuar në stadium, dhe a thua se besimi për t’ia dhënë votën dikujt është një fanellë tifozi për një skuadër.
Vota është e vetmja mundësi që njerëzit e zakonshëm kanë për të vendosur si duan të ndryshojë vendi ku ata jetojnë dhe çfarë duan të kenë.
Faktikisht nëse ka një vend në Shqipëri ku realiteti është një libër që mund të shpjegojë kapitull për kapitull që nga infrastruktura, arsimi, shërbimet, pastërtia e kështu me radhë, është Kamza.
Duke ia ngarkuar punën një njeriu të duhur, bëhen të mundura shumë gjëra që nuk kanë ndodhur më parë, të bëhen realitet”, tha Rama.
“Në fund të kësaj dekade nuk do jetë kështu, do jetë siç është ky park sot krahasuar me siç ishte një zonë djerrë dhe e braktisur ku gjithsekush synonte të kapte nga një copë, dhe sot është mbjellë këtu e ardhmja dhe nesër do jetë destinacion i jashtëzakonshëm”, tha ai.
Top Channel