
Top Channel angazhon John McLaughlin, sondazhistin zyrtar të Presidentit Donald Trump, për zgjedhjet e majit 2025 në Shqipëri.
Parashikimet zgjedhore në Shqipëri me të njëjtin standard si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Media më e madhe në vend, Top Channel ka firmosur një bashkëpunim të të nivelit të lartë me njërin nga emrat më të njohur të sondazheve dhe strategjisë elektorale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës—John McLaughlin, i cili aktualisht shërben si sondazhist dhe strateg kryesor i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Ky është një zhvillim i paprecedentë në median shqiptare, ku për herë të parë një ekspert i këtij kalibri ndërkombëtar përfshihet në mbulimin zgjedhor, duke sjellë një standard të ri në analizën e opinionit publik dhe parashikimin e tendencave elektorale.
Presidenti Trump e ka cilësuar publikisht McLaughlin si “një nga më të mirët në këtë fushë” dhe “një mendje brilante strategjike”, ndërsa roli i tij ka qenë kyç në sukseset zgjedhore të presidentit amerikan që nga viti 2016.
Përmes këtij bashkëpunimi, McLaughlin do të udhëheqë procesin e ndërtimit të sondazheve dhe interpretimit të të dhënave në prag të zgjedhjeve të 2025-ës në Shqipëri, duke garantuar transparencë, saktësi dhe analizë të thelluar të klimës politike në vend.
Ky partneritet shënon një hap domethënës në zgjerimin e dimensionit analitik dhe informativ të Top Channel, duke reflektuar qartë ambicien tonë për të qenë një platformë serioze dhe moderne për analizën politike, përveçse qendra kryesore e argëtimit. Me këtë hap, ne vijojmë të forcojmë pozicionin si media që kombinon ndikimin, përmbajtjen cilësore dhe besimin publik.
Me këtë bashkëpunim strategjik, Top Channel pozicionohet si platforma ku ndërthuren besueshmëria, analiza dhe audienca më e gjerë në vend. Rezultatet dhe analizat nga puna e McLaughlin do të transmetohen ekskluzivisht në Top Channel dhe në platformat tona digjitale gjatë gjithë sezonit zgjedhor, si dhe do të jenë pjesë e rubrikave të dedikuara në emisionin tonë kryesor politik, Top Story.
Top Channel