I vetmi përfaqësues i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, deklaroi më 14 prill se propozimi që Demo Berisha të jetë ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në qeverinë e re të Serbisë është “një goditje e rëndë për çdo shqiptar që ka vuajtur, ka rezistuar dhe është sakrifikuar për të drejtat e tij në Serbi”.

Berisha është kryetar i Shoqatës së Shqiptarëve në Serbi dhe anëtar i Komitetit Nismëtar për themelimin e Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin, që u prezantua nga Partia Progresive Serbe në pushtet gjatë një tubimi treditor në Beograd, nga 11 deri më 13 prill.

“Ky emërim nuk është vetëm politikisht i papranueshëm, por edhe moralisht i turpshëm. Sepse Demo Berisha nuk është përfaqësues i të drejtave të njeriut, por simbol i mohimit të identitetit kombëtar dhe politik të shqiptarëve të Kosovës dhe të Luginës së Preshevës”, ka shkruar Kamberi në faqen e tij në Facebook.

Berisha është pjesëtar i Ushtrisë së Serbisë. Që nga viti 2023, ai është i punësuar në Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave të Serbisë në pozitën e këshilltarit.

Kamberi theksoi se Berisha “nuk përfaqëson shqiptarët, por versionin e tij të instrumentalizuar për interesat politike serbe, si disa të tjerë në kohën e (presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan) Millosheviqit.”

Berisha, në detyrën e ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, pritet ta pasojë Tomislav Zigmanovin, kryetar i Unionit Demokratik të Kroatëve në Vojvodinë.

Kandidati për kryeministër, Gjuro Macut, dorëzoi më 14 prill në Kuvendin e Serbisë propozimin për përbërjen e qeverisë së re të Serbisë. Seanca në të cilën do të zgjidhen anëtarët e rinj të qeverisë është caktuar për të martën, më 15 prill.

Opozita ka propozuar formimin e një qeverie kalimtare, gjë që është refuzuar nga koalicioni në pushtet.

Qeveria e Serbisë është në mandat teknik që nga 19 marsi, kur deputetët e Kuvendit verifikuan dorëheqjen e Vuçeviqit nga posti i kryeministrit, çka shënoi fillimin e afatit 30-ditor për zgjedhjen e qeverisë së re.

Sipas propozimit të dorëzuar nga Macut në Kuvendin serb, pritet që në detyrat e tyre të mbeten edhe: Bratislav Gashiq (ministër i Mbrojtjes), Marko Gjuriq (ministër i Punëve të Jashtme), Dubravka Gjedoviq Handanoviq (ministre e Minierave dhe Energjisë), Zllatibor Lonçar (ministër i Shëndetësisë), Nikolla Sellakoviq (ministër i Kulturës) dhe Millan Kërkobabiq (ministër për Kujdes ndaj Fshatit).

Vuçeviq dha dorëheqje një muaj e gjysmë më parë, pasi aktivistë të Partisë Progresive Serbe në pushtet rrahën një grup studentësh që bllokonin punën e fakultetit në Novi Sad.

Rënia e qeverisë së Vuçeviqit ndodhi në kulmin e protestave kundër regjimit, të udhëhequra nga studentë që prej fundit të nëntorit 2024 kanë bllokuar dhjetëra fakultete në të gjithë Serbinë.

Në fokus të kërkesave të tyre, të adresuara institucioneve të Serbisë, është përcaktimi i përgjegjësisë ligjore dhe politike për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehëzës së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor të vitit të kaluar./REL

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta