
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në takimin me shqiptarët e Italisë, u shpreh se opozita u ngrit nga hiri me mision që të mbrojë demokracinë.
Më tej ai u bëri thirrje diasporës duke u thënë “të shpëtojmë Shqipërinë nga diktatura e dytë”.
“Nëse ka një forcë politike në Shqipëri që mishëron këto trajta shqiptare që ju mishëroni, kjo është Partia Demokratike. Vërtetë kaluam një opozitë të gjatë, kaluam një proces rithemelimi të vështirë, vërtetë u luftuar me egërsinë më të madhe 3 vite me radhë, me qëllimin më të lig për të zhdukur dhe krijuar Shqipërinë pa opozitë.
Po ashtu si ju, ashtu si ju, si diaspora që fitoi çdo sfidë dhe ne kaluam çdo pengesë. Ne u ringritëm nga hiri për një mision të shenjtë, mbrojtëm demokracinë, mbrojtëm interesin kombëtar dhe do të shpëtojmë Shqipërinë nga diktatura e dytë.
Diktatura e Edi Ramës, tashmë botërisht i njohur si drejtues i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë. Por edhe në këto ditë të vështira, më të vështira, miqtë tanë italianë udhëheqës dhe drejtues të Forza Italia qëndruan me PD, na dhanë zemër, na mbështetën dhe vazhduan traditën e të pavdekshmit, italianit të madh Silvio Berlusconi që ishte miku më i madh i PD dhe jo vetëm, miku më i madh i shqiptarëve dhe Shqipërisë.
Miq, sot ne mbyllim një javë të jashtëzakonshme në historinë e opozitës.
Një javë të rëndësishme për mbrojtjen e votës së shqiptarëve. Një javë që ka ofruar shqiptarët më afër se kurrë me fitoren në 11 maj. Unë vij tek ju me tre lajme shumë të mira nga kjo javë. Miq të mi, fasada ra. Së pari dua tu them se të hënën që kaloi u prita në Asamblenë Parlamente në Këshillin e Europës, tempullin e madh të demokracisë evropiane, në dy ndëgjesa, në dy grupet kryesore parlamentare kushtuar Shqipërisë dhe para një seri takimesh të veçanta përfshirë këtu, kryetarin e asamblesë së Këshillit të Europës dhe delegacione të vendeve anëtare, në të cilat unë isha zëri i shqiptarëve.
Paraqita narkodiktaturën e Edi Ramës. Njoha miqtë tanë në Europë se narkodiktatori për të marrë një mandat të 4-të arrestoi, burgosi liderët e tre partive kryesore opozitare. Për të marrë një mandat të 4-të licencoi mbjellje të reja të kanabisit. Për të marrë një mandat të 4-të ka aktivizuar bandat e krimit të organizuar në Shqipëri, në Dubai, në Aruba, kudo që janë. Por informova miqtë e mi europianë se përsëri ne do të fitojmë.
Informova se nuk ka dhënë politike, nuk ka bandit dhe banda, nuk ka krim të asnjëlloji që mund të mposhtë shqiptarët në diasporë, në Itali dhe në botë. Se ata me 11 maj firmosin fundin e Edi Ramës, fundin e narkodiktaturës.
Në këto takime, në këtë vizitë, gjeta atë që smund të ma priste mendja kurrë. Gjeta që kreut të narkoshtetit shqiptar në Këshillin e Europës ja kishin anuluar darkën zyrtare që do të shtrohej për nder të tij, sepse ishte sjellë në mënyrë të padenjë në tempullin e demokracisë. Darka ju anulua sepse ai foli aty si nipi i xhelatit Spiro Koleka. Se ai foli aty sikur të ishte i biri i Muhamer Gadafit. Se ai foli aty si narkodiktator, por jo vetëm kaq, por kishte marrë bandit të cilët më pas i kërcënuan me qindra mesazhe, ata që i anuluan darkën. I marrë, mendoi se do të trembte Europën me banditë të tij. Kjo ishte historia e tij në Këshillin e Europës miqtë e mi.”, tha ai.
Top Channel