Will Smith dështon me albumin e ri pas 20 vitesh? Artisti nuk arrin të shesë as 300 kopje…

12/04/2025 17:33

Pas një mungese 20-vjeçare në skenën muzikore, Will Smith është rikthyer me albumin “Based On A True Story” – por përpjekja e tij e parë pas dy dekadash ka rezultuar në një dështim komercial.

Reperi dhe aktori 56-vjeçar arriti të shesë vetëm 268 kopje gjatë javës së parë të publikimit në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa në SHBA albumi nuk u rendit fare në Billboard 200, një fakt i paprecedent për karrierën e tij muzikore.

Pavarësisht bashkëpunimeve me artistë të njohur si Big Sean, DJ Jazzy Jeff, Teyana Taylor dhe djali i tij Jaden Smith, albumi nuk pati ndikimin që pritej.

Projekti muzikor u konsiderua nga shumë si një përpjekje për t’u rikthyer në vëmendje pas incidentit të bujshëm në ‘Oscars’ 2022, ku Will Smith goditi me shuplakë komedianin Chris Rock gjatë ceremonisë.

Pas këtij momenti që tronditi botën e artit, Smith u përjashtua nga Akademia e ‘Oscars’ për 10 vite dhe projektet e tij filmike – përfshirë “Emancipation” – patën rezultate zhgënjyese në arkë.

Megjithatë, aktori nuk ka ndërmend të tërhiqet. Ai ka njoftuar se do të publikojë edhe dy albume të tjera brenda këtij viti, ndërsa ka planifikuar një turne në Evropë dhe Mbretërinë e Bashkuar, ku do të performojë si hitet e vjetra ashtu edhe materialin e ri.

Turneu do të zhvillohet në vende më të vogla si Scarborough dhe Wolverhampton, duke shmangur qytetet më të mëdha dhe të njohura, një zgjedhje që ka befasuar fansat. Megjithatë, Smith ka premtuar performanca të veçanta, plot surpriza dhe emocione për publikun që do ta ndjekë live në këtë fazë të re të karrierës së tij.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta