
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, ka bërë një postim në Facebook, një ditë pas nisjes së fushatës zgjedhore.
Ai shkruan se po zbatohen shumë projekte, teksa përmendi disa nga ndryshimet qe janë bërë dhe po bëhen në Shkodër.
“Të nderuar miq, Ka nisur zyrtarisht fushata për zgjedhjet e 11 majit. Pasaporta evropiane është misioni i kësaj fushate, me Edi Rama dhe Partia Socialiste e Shqipërisë.
Qarku i Shkodrës është një truall i bekuar me pasuri natyrore dhe me njerëz të jashtëzakonshëm: nga bregdeti i Velipojës në pyjet e Pukës e Fushë Arrëzit, nga fshatrat buzë Bunës në majat më të larta të Alpeve, nga liqeni i Shkodrës e Malësia e Madhe në malet e Dukagjinit, nga prodhimet bujqësore të NënShkodrës tek energjia e pastër që prodhohet në luginën e Drinit, në Vaun e Dejës e Koman.
Qyteti i Shkodrës, gur themeli në ndërgjegjen kombëtare dhe kulturore të shqiptarëve, është fizikisht dhe simbolikisht porta hyrëse e Evropës në Shqipëri.
Kemi një program shumë të qartë dhe konkret. Shkodra 2030 në BE është një Shkodër e lidhur në më pak se një orë me aeroportin, Tiranën dhe portin e Durrësit përmes autostradës Adriatiko-Joniane. Hekurudha Vorë–Shkodër–Han i Hotit do të lidhë pasagjerë, turistë dhe mallra me Shqipërinë dhe Malin e Zi.
Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës kanë marrë vendimin historik për ndërtimin e Hekurudhës së Kombit, ku segmenti i ri Shkodër–Gjakovë do të përshkohet për vetëm 1 orë e 7 minuta, duke e shndërruar Shkodrën në një nyje strategjike infrastrukturore, logjistike dhe ekonomike – territor shumë tërheqës për prodhim dhe eksport.
Gjatë 20 muajve të fundit në drejtimin e Bashkisë Shkodër kemi nisur një proces transformimi të thellë urban dhe rajonal.
Po përfundon rruga Shëngjin–Velipojë, punohet intensivisht në rrugën e Dukagjinit, në rrugën Shirokë–Zogaj–kufi me Malin e Zi dhe në rrugën e Komanit.
Janë asfaltuar mjaft segmente rrugësh rurale dhe janë pastruar dhjetëra kilometra kanalesh ujitëse e kulluese që kishin dekada të tëra pa u prekur me dorë.
Në qytet kemi investuar në mbi 70 pallate për eficiencë energjitike, ndriçim publik, sinjalistikë rrugore dhe riasfaltim të pothuaj të gjitha bulevardeve.
Është rindërtuar tregu i Rusit, ndërtuar tri mole lundrimi dhe po pastrohet liqeni. Po punohet për Zdralen si një tjetër pol biznesi e turizmi, për zgjerimin e rrugës hyrëse dhe ndërtimin e urës së dytë të Bahçallëkut.
Është pastruar zona në hyrje të qytetit, ku ka nisur edhe ndërtimi i një hapësire publike prej 19 hektarësh, një nga zonat më të mëdha e të bukura në vend që do të rivendosë lidhjen organike të qytetit me ujin që e rrethon.
Po punojmë gjithashtu për ndërtimin e rrjetit të plotë të korsive të biçikletave, rindërtimin e katër shkollave, terreneve sportive, teatrin “Migjeni” dhe së fundmi – kinemanë “Republika”. Po ndërtojmë Muzeun e Lundrimit dhe së shpejti edhe Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës.
Po përmirësojmë sistemin e kanalizimeve dhe furnizimit me ujë. Së shpejti nis ndërtimi i impiantit të trajtimit të ujërave të zeza që do t’i japë fund ndotjes së lumit Buna. Këto nuk janë vetëm premtime, janë realitet e plane pune.
Projekte konkrete që po zbatohen falë daljes së Shkodrës nga kthetrat e konfliktit politik dhe kthimit të saj te puna. Të mbështetur plotësisht nga qeveria shqiptare po zbatohen dhjetëra projekte dhe për të tjera janë siguruar financime për katër vitet në vijim.
Shumë prej projekteve po realizohen me fonde falas të Bashkimit Evropian dhe kredi të buta nga Bankat Evropiane Zhvillimore, çka tregon se Evropa është tashmë e pranishme në Shkodër dhe mbështetja e saj do të shumëfishohet me anëtarësimin e Shqipërisë në BE në 2030.
Ne besojmë se do të kemi mbështetjen tuaj për ta vazhduar këtë transformim në të gjithë territorin e Qarkut Shkodër.
Lista jonë për deputetë përfaqëson mozaikun e larmishëm të qarkut tonë: shumica janë kandidatë të rinj, profesionistë në fusha të ndryshme, me përvoja të suksesshme në sektorin privat dhe administratën publike.
Të gjithë janë bij dhe bija të këtij vendi, që jetojnë këtu, rrisin fëmijët e tyre këtu dhe ndajnë çdo ditë jetën me ju. Ata janë përfaqësimi real që Shkodra meriton në Kuvendin e Shqipërisë.
Me Edin dhe Partinë Socialiste kemi një fitore të sigurt në rang kombëtar. Me besimin e mbështetjen tuaj do ta bëjmë këtë fitore edhe të Shkodrës. Hapi ynë tjetër është Shkodra 2030, në familjen evropiane, në BE, për të vazhduar së bashku rrugën e zhvillimit, integrimit dhe për të sjellë një të ardhme më të mirë për të gjithë“, shkruan Benet Beci.
Top Channel