
Agjencia ndërkombëtare Moody’s e ka vlerësuar ekonominë shqiptare me perspektivë të qëndrueshme në “Ba3” sa i përket profilit të kreditit të vendit. Në raportin e publikuar së fundmi Moody’s vlerëson performancën ekonomike dhe fiskale teksa ndalet edhe tek parashikimet.
Ekonomia shqiptare ka treguar rezistencë gjatë tri goditjeve të mëdha në periudhën 2019-2023, siç ishte tërmeti, pandemia dhe kriza energjetike evropiane, duke siguruar një perspektivë të qëndrueshme afatmesme. Agjencia, në këtë kuadër parashikon që rritja e PBB-së të mbetet e fortë me 3.8% në vitin 2025 dhe 3.4% në vitin 2026”.
Agjencia parashikon dhe një reduktim të mëtejshëm dhe gradual të borxhit publik në periudhën afatmesme me rreth 4%.
“Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së u ul në 57.5% në vitin 2023 dhe pritet të ulet në 53.7% deri në vitin 2026, i mbështetur nga rritja e fortë ekonomike dhe balanca fiskale primare.”
Faktorë kryesor që ka ndikuar në këtë vlerësim sipas Moody’s janë dhe reformat për anëtarësimin në BE.
“Profili i kreditit të Shqipërisë do të vazhdojë të përfitojë nga financimi i BE-së dhe zbatimi gradual i reformave të mëtejshme të lidhura me procesin e anëtarësimit. Reformat, veçanërisht ato në fushë e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe llogaridhënies, ka të ngjarë të forcohet me avancimin e bisedimeve drejt procesit të anëtarësimit në BE”.
Ministria e Financave mirëpret këtë vlerësim nga Agjencia Ndërkombëtare ndërsa e rendit si një tregues të rëndësishëm të progresit të Shqipërisë edhe në arenën ndërkombëtare.
Top Channel