Guvernatori Sejko takon delegacionin e BERZH-it: BSH vlerëson se ekonomia shqiptare do të vijojë trendin pozitiv të rritjes!

08/04/2025 16:37

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi sot një takim zyrtar në ambientet e Bankës së Shqipërisë, me një delegacion të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të kryesuar nga Aleksandra Vukosavljevic, Drejtore për Institucionet Financiare për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Lindore, shoqëruar nga Ekaterina Solovova, Përfaqësuese Rezidente e BERZH-it në Shqipëri, si dhe përfaqësues të tjerë të dy institucioneve.

Fillimisht, Guvernatori Sejko i njohu përfaqësuesit e BERZH-it me zhvillimet kryesore ekonomike dhe financiare në vend. Ai u shpreh se parashikimet e Bankës së Shqipërisë vlerësojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë trendin pozitiv të rritjes. Sistemi financiar dhe sektori bankar, vijojnë të zhvillohen në mënyrë të qëndrueshme. Kreditimi është rritur me ritme të mira, dhe cilësia e tij mbetet e mirë.

Guvernatori përshkroi edhe përparimin në modernizimin e infrastrukturës së pagesave dhe përafrimin me praktikat më të mira globale në sektorin financiar. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë ka qenë e angazhuar për të ndjekur dhe implementuar risitë teknologjike dhe rregullatore drejt një sistemi financiar më të sigurt, më të shpejtë dhe më të standardizuar për të gjithë përdoruesit.

Më tej, Guvernatori Sejko vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të vendit tonë me BERZH-in dhe i falënderoi përfaqësuesit e tij për kontributin e çmuar dhënë Shqipërisë, falë të cilit janë realizuar projekte shumë të rëndësishme, si ai për përgatitjen e infrastrukturës rregullative në lidhje me administrimin e ndikimit nga ndryshimet e klimës. Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen për kontributin që BERZH-i, donatorët dhe ekspertët e përzgjedhur prej tij, kanë dhënë nëpërmjet projekteve të ndryshme, për përgatitjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe rritjen e kapaciteteve teknike e rregullative të Bankës së Shqipërisë, në funksionin e saj të mbikëqyrjes dhe të ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Këto projekte përfshinin:

–           përgatitjen dhe realizimin e vetëvlerësimit, në procesin e verifikimit të ekuivalencës së kuadrit rregullator mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë me atë të Bashkimit Evropian; dhe

–           vlerësimin në nivel rajoni të kuadrit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, me fokus të veçantë në krijimin e kërkesave për kapital dhe detyrime të pranuara (MREL), si edhe zhvillimin e metodologjisë për një nga instrumentet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme.

Në vijim, Guvernatori bëri një përshkrim të përgjithshëm të zhvillimeve ekonomike dhe financiare, duke evidentuar ndryshimet strukturore në ekonomi dhe kontributin e sektorit bankar në mbështetje të tyre. Pritjet për zhvillimet e ardhshme, pavarësisht sfidave, mbeten pozitive. Palët vlerësuan nevojën për rritjen e mbështetjes financiare të sektorit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ku programi i posaçëm i miratuar së fundmi nga Banka e Shqipërisë, përfaqëson një mundësi shumë të mirë zhvillimi. Në këtë drejtim, ata vlerësuan se progresi i realizuar nga Banka e Shqipërisë për modernizimin e sistemeve të pagesave dhe digjitalizimin, do të shërbejë gjithashtu për formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe rritjen e aksesit në financim nga sektorët më pak të financuar.

Përfaqësuesit e BERZH-it shprehën vlerësimin maksimal për bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë në projektet e mësipërme dhe gatishmërinë për zgjerimin e bashkëpunimit edhe në drejtime të tjera. Vukosavljevic shtoi se BERZH-i do të vazhdojë të mbetet një partner kryesor, duke ofruar mbështetje në sektorë kyç të ekonomisë së vendit, me fokus te ndihma për bizneset shqiptare që të bëhen më të gjelbra dhe më digjitale, si dhe për të fuqizuar sipërmarrësit e rinj.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta