30 minuta pas mesnatës së 31 marsit, me granata dore është sulmuar objekti i Postës së Kosovës në Zveçan.

Shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale në objektin e ri që u hap javën e shkuar.

Policia e Kosovës po ashtu brenda objektit ka gjetur edhe një mjet eksploziv të pashpërthyer. Kjo ka çuar në evakuimin e përkohshëm të banorëve e pastaj është bërë shpërthimi i kontrolluar i mjetit eksploziv.

Policia e Kosovës bën të ditur se ka disa pista të hetimit për sulmin me granata dore në objektin e postës.

Ndërkohë kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci thotë se sulmi ka për qëllim frikësimin e qytetarëve derisa ngre dyshime se mund të jetë kryer nga grupi i njëjtë i personave që sulmoi komunën e stacionin e policisë në nëntor të vitit 2024.

Sulmin e ka cilësuar me “elemente terroriste” edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai shton se ky sulm ka për qëllim cenimin e sigurisë dhe pengimin e integrimit të qytetarëve.

“Qëndrimi në liri i kriminelit Radoiçiç dhe mosdorëzimi i tij autoriteteve të shtetit tonë është një mesazh i rrezikshëm që inkurajon kriminelë e terroristë, ekstremistë të ndryshëm, që të vazhdojnë veprimet e tyre me tendencë destabilizuese”, ka thënë Kurti.

Në objektin ku tash e një javë ndodhet Posta e Kosovës, më parë operonte Banka e Kursimeve Postare të Serbisë, që u mbyll në maj të vitit 2024. Sulmet e fundit me granata dore në Zveçan u regjistruan më 28 nëntor në objektin e komunës dhe në stacionin policor. Këto sulme i kishin paraprirë sulmit terrorist në kanalin e Ibër Lepencit në Zubin Potok.

 

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta