SHBA dëbon disa anëtarë bandash në El Salvador, Marco Rubio: Ishin vrasës dhe përdhunues

31/03/2025 19:52

Shtetet e Bashkuara kanë deportuar 17 “kriminelë”, të dyshuar si pjesë e një bande, në një burg të sigurisë maksimale në El Salvador

Shtetet e Bashkuara kanë dëbuar 17 “kriminelë”, të dyshuar si pjesë e një bande, në një burg të sigurisë maksimale në El Salvador, pavarësisht faktit se një proces ligjor është duke u zhvilluar, njoftoi sot Departamenti i Shtetit.

“Mbrëmë, si pjesë e një operacioni të suksesshëm kundër terrorizmit në bashkëpunim me aleatët tanë në El Salvador, ushtria amerikane transportoi një grup prej 17 kriminelësh të dhunshëm nga organizatat Tren de Aragua dhe MS-13, duke përfshirë vrasës dhe përdhunues”, tha Sekretari i Shtetit i SHBA, Marco Rubio. Kombësia e njerëzve nuk u specifikua.

Në mes të shkurtit, Presidenti Donald Trump caktoi tetë kartele të Amerikës Latine si organizata ” terroriste”, duke përfshirë bandën MS-13. Një karakterizim që zgjeron fushën e veprimeve të autoriteteve amerikane në luftën kundër krimit të organizuar.

Duke cituar një ligj të vitit 1798 për armiqtë e huaj, Uashingtoni deportoi 238 venezuelianë në El Salvador më 16 mars pa gjyq, të cilët qeveria amerikane i akuzon si anëtarë të organizatës kriminale Tren de Aragua.

Në Venezuelë, të afërmit e këtyre individëve konfirmuan se ata nuk janë anëtarë të Tren de Aragua. Ky dëbim zhvillohet ndërkohë që presidenti amerikan pritet të mirëpresë homologun e tij salvadoran, Nayib Bukele, në prill, sipas zyrës së këtij të fundit.

Nayib Bukele kishte propozuar në shkurt që El Salvadori të priste të burgosurit nga SHBA kundrejt një tarife.

Presidenti i El Salvador tha se të gjithë të dëbuarit ishin “vrasës të konfirmuar dhe kriminelë të njohur, duke përfshirë gjashtë përdhunues të fëmijëve”.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta