
Gjykata e Tiranës ka vendosur që të kalojë për gjykim çështjen në ngarkim të të miturit Mario Përlleshaj.
Ai akuzohet për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij Martin Cani ngjarje e ndodhur në 18 Nëntor të vitit të shkuar në afërsi të shkollës Fan Noli.
Gjyqtarja Migena Laska ka pranuar kërkesën e prokurorisë për gjykim të dosjes penale. 14 vjeçari Përlleshaj do të gjykohet për veprën penale vrasje në rrethana cilësuese ndaj dy ose më shumë personave. Gjykata rrëzoi kërkesën për gjykim të shkurtuar të bërë nga 14 vjeçari.
Në sallë psikologia Lindita Hoxha është shprehur se është dakord që të vijojë gjykimi i zakonshëm për shqyrtim me të detajuar të çështjes në themel, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.
Në seancë, të pranishëm ishin familjarët e Martinit të ndjerë, bashkë me shokun e tij, Luisin, që mbeti i plagosur në ngjarjen e rëndë që tronditi vendin në nëntor të vitit të kaluar.
Muajin e kaluar, përmes avokatit mbrojtës, Mario Përlleshaj dorëzoi kërkesë në Gjykatën e Apelit për zëvendësim mase sigurimi personal. Pas shqyrtimit, Gjykata e Apelit në Tiranë rrëzoi kërkesën.
14-vjeçari ndodhet në institucionin e Kavajës, ndërsa edhe në muajin dhjetor kundërshtoi masën e dhënë “arrest në burg”. Më 17 dhjetor, Gjykata e Apelit në Tiranë la në fuqi masën “arrest në burg” ndaj tij.
Top Channel