
Ky është momenti kur Fabjol Hysi u dhunua barbarisht nga dy të rinj pasditen e 20 marsit pranë xhamisë së Lushnjës.
Dy agresorët Irdi Nasufi 20 vjeç dhe Enea Korreshi 23-vjeç e sulmuan 43-vjeçarin me aftësi të kufizuara në të dëgjuar dhe në të folur në mes të rrugës, duke e goditur me grushte, shqelma dhe gurë.
Ishte myftiu i xhamisë së Lushnjës personi i parë që ka parë të shtrirë në tokë 43 vjeçarin duke i dhënë ndihmën e parë. Për Top Channel Myftiu Gramoz Blliku tregon momentin se si e gjeti Fabjolin.
“Ngjarja na ka tronditur. Isha unë në momentin e parë që lajmërova policinë dhe ambulancën. Godtija besoj se ka qenë shumë e fortë. Një akt brutal.”
Myftiu tregon për Fabiolin, i cili njihej për nisma bamirësie që i vinte në ndihmë njerëzve në nevojë.
“Fabjoli ishte frekuentues i rregullt i xhamisë. Ishte djalë i qetë, i urtë dhe social. Para viti së bashku restauruam një shtëpi në një fshat të Divjakës”.
Si pasojë e sulmit, ai mori dëmtime të rënda në kokë dhe trup dhe prej një jave ndodhet i shtruar në spitalin e Traumës.
Gjykata e Fierit vendosi të linte në burg Nasufin dhe në masën detyrim paraqitje Korreshin, të cilët kanë pranuar fajin, por kanë deklaruar se gjithçka nisi si shkala por ushtruan dhunë ndaj 43-vjeçarit pasi sipas tyre ai i ka ofenduar.
Megjithatë, dëshmia e tyre është marrë me rezerva nga hetuesit për shkak se Fabjol Hysi nuk është në gjendje të flasë apo të dëgjojë.
Në dorë të prokurorisë janë pamjet filmike nga kamerat e sigurisë, ku duken dy agresorët që e ndjekin nga pas 43-vjeçarin në mes të rrugës derisa e rrëzojnë në tokë, duke e goditur.
Përpjekja e tij për t’u mbrojtur ishte e kotë, pasi dy autorët e lanë pa ndjenja në rrugë dhe u larguan me vrap, në një zonë tepër të frekuentuar.
Prokuroria ndërkohë vijon hetimet për këtë ngjarje të rëndë, ndërsa policia e Fierit, përmes një reagimi ka mohuar akuzat se ka tentuar të fshehë ngjarjen.
Top Channel