
Pas protestës së një dite më parë në fshatin “Qazim Pali”, njësia administrative Borsh, banorët kanë vazhduar protestën sërish para zyrës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) në Sarandë.
Kërkesa e tyre mbetet e njëjtë: dhënia e certifikatave të pronësisë për një sipërfaqe prej 60 hektarësh, të cilën ata e kanë përfituar prej ligjit 7501. Nga këto 60 ha, rreth 7 ha janë të pretenduara nga komuniteti mysliman.
Banorët protestues shprehën shqetësimin e tyre lidhur me vonesat e gjatë për pajisjen me certifikatat e pronësisë dhe përshkruan në detaje kalvarin e pritjes për të regjistruar tokën që kanë përfituar. Ata kanë ngritur pretendime për korrupsion, zvarritje dhe vonesa në një proces që ka nisur rreth 30 vjet më parë e ende nuk ka përfunduar.
Pas disa orësh pritjeje përpara zyrës së degës së ASHK në Sarandë, një grup prej tre banorësh u prit nga drejtori i kësaj dege. Ai u shpreh se problemi nuk qëndronte te kadastra e Sarandës, por te një mbivendosje e evidentuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) me komunitetin mysliman.
Në përgjigje, banorët deklaruan se, nëse nuk zgjidhet çështja, ata do të ndjekin rrugë ligjore për të realizuar të drejtën e tyre.
Top Channel