Nota e Kombëtares nga Top Channel/ Manaj “gjahtar”, Gjimshitit i mjaftojnë “spaletat”

25/03/2025 00:14

Shqipëria arriti një fitore tepër të rëndësishme në kualifikueset e Botërorit 2026, duke mundur Andorrën me rezultatin 3-0.

Top Channel sjell notat dhe vlerësimet për futbollistët që u aktivizuan këtë ndeshje:

STRAKOSHA 6 – Spektator pa pagesë. Andorra nuk e vendosi asnjëherë në provë.

BALLIU 6.5 – Ndeshje krejtësisht ndryshe nga ajo në Angli, sepse edhe rivali ishte goxha modest. Por ai ruajti ritmin, ndihmoi sporadikisht sulmin dhe u tregua pozicional në mbrojtje.

AJETI 6.5 – Një ndeshje me nivel. Agresiv njësoj sikur të kishte anglezët përballë, i saktë dhe bashkëpunon shumë mirë me Gjimshitin. Në pjesën e dytë e uli ritmin si të gjithë.

GJIMSHITI 7 – Kapitenit i mjaftojnë vetëm “spaletat” për të “futur në xhep” çdo rival që kalon nga zona e tij. I sigurt, i qetë dhe i ftohtë në leximin e kundërshtarëve. (Nga min 68’ KUMBULLA – Sinjale të mira se është rikthyer djaloshi që dikur shkëlqeu në Serinë A. Pa notë).

ALIJI 6.5 – Një pjesë e parë shumë e mirë, sepse përpiqet të shtyjë, por edhe mbron me siguri të madhe. Në pjesën e dytë mjaftohet vetëm duke bërë detyrat në fazën mbrojtëse.

ASLLANI 6.5 – Përpiqet të dirigjojë gjithë manovrën e skuadrës, duke i bërë të dyja fazat si në mbrojrtje, ashtu edhe në sulm. Ndoshta Silvinjo, në mungesë të bajramit duhej t’i jepte pak më shuëm liri, por gjithsesi bëri një ndehsje të mirë. Duhet të kalibrojë gjuajtjet, shumë larg standardit të tij.

LAÇI 7 – Ju kishte marrë malli për Xhakën dhe Abrashin? Epo djaloshi është një miks mes tyre. Ose ka mësuar shumë prej tyre. I kudondodhur, agresiv dhe ambicioz para portës kundërshtar. Një digë lëvizëse në mesfushë. (Nga min 75 PAJAZITI – Shijoi atmosferën dhe tregoi grintë. Shumë pak minuta për notë).

SHEHU 7 – Gjysmë note me hatër si debutues. Oh çfarë surprize djaloshi që deri pak vite më parë luante me Laçin dhe Kastriotin. Personalitet, gjeometri, shpirt gare dhe shumë thjeshtësi. Zbulim.

HOXHA 6.5 – Driblues fantastik, por pason shpesh gjysmë kohe me vonesë. Rrezik konstant në krahun e majtë dhe sakrifikon në mbrojtje. Nëse kërkon ta ngrejë nivelin, përtej cilësive teknike të padiskutueshme, duhet të përmirësojë edhe altruizmin.

MANAJ 8 – Jo vetëm për dy golat e shënuar me tërbimin e një “vrasësi” para portës, por edhe për urinë e tij të pafundme për të shënuar të tretin si dhe sakrificën në fazën mbrojtëse. Në formë.

BROJA 7.5 – Asisti për golin e dytë të Manajt nuk ka të paguar. Duket i thjeshtë, por e bëjnë pak të tillë, sidomos kur kanë epitetin “sulm,ues rrace”. Nuk është në nivelin maksimal, por kundër Andorrës bën çfarë të dojë dhe kënaqësia më e madhe është se u tregua altruist disa herë. I ka munguar ekipit. (Nga min 75 UZUNI 7.5 – I mjafton kaq për të lënë gjurmë, madje mund të kishte shënuar dopietën e parë si kuqezi. Beratasi më në fund u zhbllokua).

TRAJNERI SYLVINHO 6.5 – Shqipërisë i kërkohej fitore dhe e arriti. Dominoi, argëtoi dhe nuk lejoi asnjë rrezik në portë. Më shumë se kaq nuk mund të bëhej pas një ndeshjeje të vuajtur e të humbur kundër Anglisë. La disa “senatorë” si Bajrami dhe Ramadani në stol, por u shpërblye.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta