
Presidenti amerikan, Donald Trump u tha gazetarëve sot se administrata e tij po “shikon” kushtet që Kremlini ka thënë se do të duhet të përmbushen përpara se të zbatohet marrëveshja e Detit të Zi.
“Ne po i shqyrtojmë të gjitha ato tani. Ka pesë ose gjashtë kushte”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Më herët, Shtëpia e Bardhë tha se Ukraina dhe Rusia ranë dakord të ndalonin përdorimin e forcës në Detin e Zi, një marrëveshje në parim që Kremlini më pas tha se vjen me disa kushte përpara se të zbatohet.
Zyrtarët amerikanë zhvilluan një sërë takimesh me delegacionet ruse dhe ukrainase në Arabinë Saudite ditët e fundit. Shtëpia e Bardhë përshkroi marrëveshjet që tha se SHBA-ja arriti me Rusinë dhe Ukrainën në dy deklarata të veçanta, por shumë të ngjashme më njëra-tjetrën.
Të dy thanë se SHBA dhe secili prej vendeve përkatëse “kanë rënë dakord të sigurojnë lundrim të sigurt, të eliminojnë përdorimin e forcës dhe të parandalojnë përdorimin e anijeve tregtare për qëllime ushtarake në Detin e Zi”.
Top Channel