Kush fiton nga lista e hapur e PS në Tiranë? Braçe: Garë e pabarabartë! Majko: Jam deputeti më i vjetër i PS, po s’e bëra unë, kush do ta bëjë?!

25/03/2025 19:33

“Lista e mbyllur e Tiranës është bunker”, kështu e quajti kryesocialisti Edi Rama skuadrën e Tiranës drejt 11 Majit.

E ndërsa në listën e mbyllur me një mandat të sigurt drejt parlamentit janë 12 kandidatë socialistë,  beteja e fortë zhvillohet në listën e hapur ku janë vendosur 3 ministra dhe 15 deputetë me 1 apo më shumë mandate.

Pritshmëritë e socialistëve sipas sondazheve të tyre të brendshme sugjerojnë 20 mandate në Tiranë..

Kjo tabelë tregon hartën e shpërndarjes së skuadrës socialiste në të gjithë qarkun e Tiranës ku disa prej tyre janë debutues.

Në garën e Tiranës duken të avantazhuar ministrat Blendi Gonxhe dhe Ervin Hoxhaj sikurse edhe deputetët Orlando Rakipi dhe Xhemal Qefaliaj nëse shikojnë numrin e  votave personal të këtyre dy të fundit, e në parlamentaret e 2021.

Xhafaj i madh Fatmiri kur u prezantua skuadra socialiste gjuha e trupit e tregoj jo fort komod,  ndryshe nga Xhafa i vogël Etieni,  i shfaqur i qeshur me besimin se do të jetë zgjedhje e parë e socialistëve të Baldushkut, Petrelës dhe Farkës

Për Fatmir Xhafën ky do të jetë testi i dytë në Njësinë 10,  pas thyerjes së hercit në 2021 duke u futur nga dritarja në Parlament.

Por një garë brenda listës së Tiranës do të ketë edhe mes zonjave socialiste, ku nga lista e hapur duke respektuar gjininë e përfaqësimit, pritet që pragun e Parlamentit ta kalojnë vetëm dy prej tyre nga lista e hapur.

Gazetari Top Channel Muhamed Veliu u takua në terren me deputetin senator socialist Erion Brace.

Paçka se zemrën dhe mendjen e ka në Divjakë, Erion Braçe e gjetëm në një lagje të njësisë 5 ku ai është duke bërë fushatë e shkuar për të nëntën herë në Parlament.

Gazetari Muhamed Veliu: Sa komod ose jo komod është Erion Braçe në këtë sfidë të re, në këtë detyrë të re në njësinë 5?

Deputeti Erion Braçe: Kjo është puna që unë kam bërë, nëse të tjerët kanë bërë punë të tjera dhe vijnë tani për të kandiduar për deputet me ide të ndryshme, për të kontribuar, për t’u bërë ministra në rastin më egoist apo për të marrë një status, unë këtë punë kam bërë, pavarësisht se më parë kam bërë edhe punën tënde, kam bërë edhe punën e financierit e me radhë, gara është e drejtë jo se ka një listë të hapur apo të mbyllur, në rastin tim unë kam vetëm 6 javë këtu, kolegë të tjerë kanë nga 4 vite, 8 vite, këtu vij për herë të parë, nga kjo pikëpamje për shkak të kohës së ngushtë dhe të pamjaftueshme për të bërë fushatë, unë zakonisht bëj fushatë 3 muaj, nuk bëj fushatë ato 30 ditët që ka.

Ish kryeministri socialist Pandeli Majko i fundit deputet prej grupit të deputetëve ’92-’96 në një intervistë me gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu tha se synon të marrë të nëntin mandat në bastionin e demokratëve, Kavajë.

Deputeti Pandeli Majko: Fushata është në qytetin më të vështirë të politikës. Do të thotë jo vetëm për Partinë Socialiste, por edhe për të tjerët. Arsyeja është se ky qytet e ka filluar politikën kur politika nuk kishte filluar akoma, në sensin e asaj që erdhi pas demokracisë, në vitet ’90. Kjo dhe për më shumë arsye, besoj se kjo është një kërkesë që hesht duke folur dhe e kundërta.

Gazetari Muhamed Veliu: Përmendët vështirësinë. Cila është vështirësia e dytë, pasi edhe në zgjedhjet e shkuara, ju ishit në një qark relativisht të ri për ju. Pse Pandeli Majko i duhet të përballet nga njëra vështirësi në tjetrën?

Deputeti Pandeli Majko: Sepse jam deputeti më i vjetër i Partisë Socialiste dhe po nuk e bëra unë, pyetja është: kush do e bëjë?

Deputeti Pandeli Majko: Mendoj se ka një dallim shumë të rëndësishëm midis listave të PD-së dhe PS-së, por cilësia më e rëndësishme është që ne po luajmë në sulm. Pala tjetër po bën të kundërtën. Të shohim kush do të jetë fituesi i vërtetë. Një gjë ka shumë rëndësi të thuhet, PD nuk respektoi votën e Primareve të veta. Nëse një parti nuk respekton votën brenda partisë së vet, pikëpyetja më e madhe është sa do ta respektojnë ata votën e 11 Majit.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta