Kampionati i Ping-Pong në Gjirokastër, 70 sportistë të rinj janë mbledhur nga i gjithë vendi

25/03/2025 15:26

Në Gjirokastër, për dy ditë radhazi, u zhvillua Kampionati Kombëtar i Pingpongut për moshat 15 dhe 19 vjeç.

Ky event sportiv tërhoqi rreth 70 sportistë nga ekipe të ndryshme, përfshirë klubet sportive Tirana, Teuta, Elbasani, Berati, Përmeti dhe shumë të tjerë. Pjesëmarrësit vlerësuan organizimin e aktiviteteve dhe rëndësinë e ripërtëritjes së traditës së sportit të pingpongut.

Tonin Binoshi, Sekretar i Federatës së Pingpongut, shprehu se ky ishte një hap i rëndësishëm për sportin në qytetin e Gjirokastrës: “Për herë të parë organizojmë në Gjirokastër Kampionatin Kombëtar të moshave U-15 dhe U-19, nga të cilët do të dalin lojtarët më të mirë që do të përfaqësojnë kombëtaren shqiptare në aktivitetet e Ballkanit. Gjirokastra ka pasur traditë në pingpong vitet e para, por sot shohim se nuk ka ekipe për këto grupe moshe. Ky event është edhe një formë sensibilizimi për të ftuar moshat e reja dhe rinovuar interesin për pingpongun.”

Greta Kovaçi, trajnerja e një prej ekipeve pjesëmarrëse, theksoi rëndësinë e zgjerimit të sportit në qytete të tjera: “Është një kënaqësi të marrim pjesë në këtë kampionat në Gjirokastër. Ky aktivitet ka të bëjë me zgjerimin gjeografik të sportit, i cili ka mbetur në kufijtë e minimumit. Jam shumë e surprizuar nga ambienti i Pallatit të Sportit dhe respektoj kontributin e të gjithë sportistëve pjesëmarrës në këtë aktivitet.”

Një sportiste vajzë, duke shprehur mendimin e saj mbi organizimin, tha: “Mendoj se ky kampionat është një organizim shumë i mirë, sepse jo vetëm që zhvillon qytetet jashtë Tiranës, por gjithashtu na mundëson të njihemi më shumë me njëri-tjetrin dhe të kuptojmë kultura të ndryshme.”

Një sportist djalë gjithashtu ndau përvojën e tij: “Unë kam zgjedhur sportin e pingpongut dhe e ndoqa për herë të parë para 7 vitesh. Është një sport i bukur, që të mban aktiv dhe gjallë, dhe është një mundësi e shkëlqyer për zhvillim fizik dhe shpirtëror.”

Në të njëjtën kohë, Gjirokastra po shndërrohet në një qendër për organizimin e eventeve kombëtare dhe ndërkombëtare, jo vetëm për pingpong, por edhe për sporte të tjera si bodybuilding dhe kick-boxing.

Pas një periudhe të gjatë mungese ambjentesh dhe motivimi, ky sport po kthehet duke tërhequr të rinjtë, si një mundësi për ti larguar ata nga veset dhe ndikimi negativ i teknologjisë, por gjithsesi ekspertët e sportit mendojnë se mbetet i nevojshëm edukimi dhe mbështetja  që të vazhdohet në  këtë rrugë me entuziazëm dhe disiplinë.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta