S&P rrit vlerësimin e Shqipërisë, nga BB minus në BB falë pozicionit fiskal dhe performancës ekonomike

24/03/2025 13:19

Agjencia Ndërkombëtare Standard & Poor’s (S&P) ka rritur vlerësimin e saj afatgjatë të kredisë në valutë të huaj dhe në monedhën vendase për Shqipërinë në ‘BB’ nga ‘BB-‘.

Vlerësimi i kredisë sovrane, i cilësuar si një matje e aftësisë së qeverisë për të shlyer borxhet e saj, reflekton performancën ekonomike dhe fiskale të vendit sipas Agjencisë.

Investimet e mëdha të huaja direkte neto (IHD), flukset hyrëse të remitancave dhe lulëzimi i eksporteve të shërbimeve mbështesin perspektivat solide ekonomike të Shqipërisë, pavarësisht tensioneve të ngritura gjeopolitike dhe pasigurisë përpara zgjedhjeve parlamentare të këtij viti”, thuhet në raport.

S&P parashikon që rritja reale e PBB-së së Shqipërisë të mbetet mbi 3% deri në vitin 2028, e nxitur nga investimet dhe konsumi. Por pavarësisht ecurisë, sfidat strukturore do të vijojnë sipas Agjencisë.

Tkurrja e fuqisë punëtore dhe emigracioni i qëndrueshëm do të mbeten një sfidë, ndërsa mbështetja në  sektorin e turizmit dhe kërkesa e jashtme nga tregjet kryesore të BE-së shton cenueshmërinë ekonomike”, thuhet më tej.

Prezenca e rreziqeve fiskale sipas Standard and Pours do të vazhdojë për shkak të borxhit të lartë në valutë të huaj, maturimeve të shkurtra të borxhit të brendshëm dhe angazhimeve të konsiderueshme të partneritetit publik-privat. Ndërsa tensionet diplomatike me Greqinë mund të sjellin sfida në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.  Ky është rishikimi i dytë në rritje brenda një viti nga Agjencia.

 

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta