Skandal/ Fiks Fare zbulon në Mihaj të Koplikut mbetje të rrezikshme spitalore. Hidhen në natyrë, mbulohen me dhe

19/03/2025 20:40

Emisioni investigativ Fiks Fare ka trajtuar një rast shqetësues të ndotjes mjedisore në fshatin Mihaj të Koplikut, pas denoncimeve dhe videove të mbërritura në redaksi.

Pamjet tregonin sasi të mëdha mbetjesh spitalore të hedhura mes mbetjeve urbane, duke përbërë një rrezik serioz për shëndetin publik dhe mjedisin.

Gazetarët e Fiks Fare për të verifikuar këtë gjë, menjëherë udhëtuan drejt fshatit Mihaj të Koplikut dhe konstatuan se mbi mbetjet ishte hedhur dhe, në një përpjekje të dukshme për t’i fshehur ato.
Vetëm pak metra larg grumbullit ndodhej një fadromë e parkuar. Duke gërmuar, gazetarët zbuluan kartona dhe qese të mbushura me mbetje spitalore, duke vërtetuar se ato ishin mbuluar qëllimisht.

Pak minuta pas mbërritjes së Fiks Fare, në vendngjarje mbërritën inspektorët e IKMT-së, të cilët rrethuan zonën me shirita sigurie. Të pyetur nga gazetarët, ata pranuan se mbulimi i mbetjeve ishte shkelje ligjore dhe thanë se që nga dita e djeshme policia kishte qenë përgjegjëse për ruajtjen e tyre deri në orën 06:00 të mëngjesit.

Gazetarët e Fiks Fare shkuan në komisariatin e policisë për të kërkuar sqarime. Shefi i krimeve, i cili doli për të folur me ta, pranoi se situata ishte problematike, por mohoi që mbetjet të ishin mbuluar. Pasi iu treguan fotot, ai tha se mbulimi i tyre do të ishte një shkelje ligjore dhe se policia kishte bërë procedurat e duhura, duke e referuar çështjen në prokurori.

Gazetarët e Fiksit kërkuan gjithashtu një informacion nga Bashkia e Malësisë së Madhe. Nënkryetari i bashkisë deklaroi fillimisht se mbetjet ishin mbuluar për të parandaluar përhapjen e tyre, por më pas u përpoq të mohonte përfshirjen e institucionit që ai përfaqësonte. Vetëm disa minuta më vonë, ai telefonoi redaksinë dhe pranoi se kishte gabuar, duke thënë se nuk ishte bashkia ajo që i kishte mbuluar mbetjet.

Gazetarët e Fiks Fare u interesuan edhe në Spitalin e Malësisë së Madhe, ku drejtori i institucionit u distancua nga ngjarja. Ai tha se spitali ka një kontratë ligjore me një kompani për trajtimin e mbetjeve dhe se sasia e mbetjeve që prodhon ky spital është shumë e vogël.

Fiks Fare telefonoi edhe përgjegjësin e IKMT-së, i cili sqaroi se kundrejt Bashkisë së Malësisë së Madhe është marrë masa me gjobë.

FOTO GALERI
3/7

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta