
Një shtetas shqiptar i kapur me dokumentacion fals në Lurgan të Irlandës së Veriut është dënuar me pesë muaj burg.
Fjorald Pjetri, 22 vjeç kishte shkelje të zbuluara më 15 janar të këtij viti. Ai pranoi akuzat për posedim të një dokumenti të rremë identiteti, qëndrim të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar, mungesë sigurimi apo leje drejtimi dhe posedim kanabisi.
Sipas mediave vendase, ai u shfaq përmes një video live nga burgu në Gjykatën e Magjistraturës Craigavon të premten.
Gjykatës iu tha se policia e ndaloi atë duke drejtuar një makinë tip ‘Alfa Romeo’ në Pollock Drive në Lurgan. Ai kishte një leje drejtimi kroate të falsifikuar me një emër tjetër si dhe një letërnjoftim kroat gjithashtu të falsifikuar.
Shqiptari po ashtu u kap me 14 gramë kanabisi. Një prokuror shtoi se në makinë “u gjetën një numër pasaportash shqiptare”.
Një avokat mbrojtës tha se i pandehuri është me origjinë një shtetas shqiptar i cili e dinte se ishte në mënyrë të paligjshme në MB.
“Ai kishte dokumente të rreme në mënyrë që të qëndronte këtu ilegalisht,” tha avokati.
Avokati tha se i pandehuri “vuan nga hemorroidet dhe ai nuk ka mundur të marrë trajtimin që kërkon gjatë kohës që është në mjedisin e burgut.”
Megjithatë, ky arsyetim nuk e shpëtoi shqiptarin nga dënimi me burg.
Top Channel